Fletore Kinemaje

Para jush, një film me vampirë që ia vlen të shihet

22 Prill 2018

Para jush, një film me vampirë që ia vlen të shihet

Le të mos flasim për Twilight, që ishte sukses, por qesharak gjithsesi. Në vend të tij, le të flasim për një film me vampirë që është realizuar mirë dhe ia vlen të shihet. Para jush Byzantium.

Byzantium nuk është gjenial dhe as i pari i llojit të tij, por sidoqoftë, veë historia, ndërtimi dhe rrëfimi janë magjepsës. Bëhet fjalë për një nënë dhe vajzën e saj, Clara dhe Eleanor luajtur përkatësisht nga Gemma Arterton dhe Saoirse Ronan. Të dyja vampire, por shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Me më shumë se 200 vite jetë mbi supe, Clara punon si striptiste dhe prostitutë për të siguruar jetesën, ndërsa Eleanor është më e ndjeshme, zemërflori si të thuash.

Pasi detyrohen të shpërngulen në një tjetër qytet, Clara josh një burrë vendas, i merr hotelin të cilin e kthen në një bordello. Eleanor hyn në shkollë dhe bie në dashuri me Frank, një shkrimtar i vuajtur dhe i sëmurë me leucemi.

Para jush, një film me vampirë që ia vlen të shihet

Eleanor vetë është një shkrimtare e torturuar nga vetmia që vjen me të qenit vampire e fshehur. “Historia ime s’do të rrëfehet kurrë. E shkruaj vazhdimisht, sa herë gjendem në një vend të sigurt. Shkruaj atë që nuk them dot: të vërtetën,” thotë Eleanor në fillim të filmit. Me ndihmën e profesorit të saj dhe Frank, Eleanor vendos të tregojë gjithë ç’ndodhi. Historia kthehet në një rrëfim të dyfishtë, që nis me mënyrën sesi Clara u bë vampire në Luftërat e Napoleonit.

Clara është e pamëshirshme dhe pi gjakun e kujtdo t’i vijë për mbarë. Eleanor, zemërflori, ushqehet vetëm me gjakun e atyre prag vdekjes.

Byzantium rrotullohet rreth të historive që tregojmë dhe historive që vetëcensurojmë. Në përgjithësi, i gjithë filmi është një përrallë fiksuese që e përfshin më së miri konceptin e vampirit. Ka intriga, thithje gjaku intime në qafë, burra të zbehtë me veshje të vjetra, sensualitet dhe skena të errëta. Është filmi me vampirë që na nevojitej.