Eugent Bushpepa ndezi Altice Arena në Lisbonë gjatë performancës së këngës “Mall”! Ashtu si pritej, çdo gjë, duke nisur nga veshjet, vokali, realizimi, look-u dhe gjithë ndjesia e performancës, ishte perfekte deri në detaj.
Klipi promovues i Bushpepës u xhirua në Portugali, në Valencia dhe në të shihej këngëtari duke ecur rrugëve të qytetit e duke përshëndetur banorët e kalimtarët.
Ndriçimi i skenës alternohej mes blusë së thellë dhe të kuqes. Në momente të caktuara, gjithçka errësohej për t’i dhënë më shumë vëmendje këngës.
Notat e larta Bushpepa i arriti mrekullisht pa u munduar, s’kishim dyshime. Siç u tha dhe më herë, kënga u performua në shqip.
Bashkë me të në skenë ishin dy kitaristë (Denis Hima, Besnik Nikolli), një baterist (Gerti Hima) dhe dy vokale mbështetëse (Margret Radovani, Erida Agolli).
Enada At’Nikolla u kujdes për veshjet Bushpepës dhe bandës së tij në skenë. Ai veshi një kostum elegant me elementë rrok.
Për të votuar këngën “Mall”, duhet të prisni deri sa të performojnë të gjithë shtetet këtë gjysmë finale. Në 15 minutat dedikuar votimit mund të votoni deri në 20 herë përmes numrit të shfaqur në ekran. Si në çdo edicion tjetër, nuk mund të votoni “Mall” nëse banoni brenda territorit shqiptar.