Të birësuarit e një fëmijë është një fenomen i përhapur në shoqërinë shqiptare qysh kohë më parë, pavarësisht se jo përmes procedurave ligjore siç ndodh rëndom në ditët e sotme. Mirëpo ç’raport kanë shqiptarët me birësimin, me të qenurit i birësuar dhe si e vlerësojnë një marrëdhënie të tillë?
Një ditë më parë, realizuam një sondazh, ”Si do të reagonit nëse merrni vesh se prindërit ju kanë birësuar”, votimet e të cilit nuk ishin dhe aq shumë surprizues. Nëse i hedhim një sy fotove të mëposhtme, vëmë re se pjesa dërrmuese nuk do të reagonte shumë keq në një situatë të tillë, ndikuar nga raporti me prindërit dhe mënyra si janë rritur.
Sigurisht që është mëse normale që një ngjarje e tillë do të thyente pak ekuilibrat në familje, ku për disa kohë biseda do të përqëndrohej tek e kaluara, tek ngjarjet që sollën një situatë të tillë; më shumë të shtyra nga kurioziteti.
E në këtë pikë, kurioziteti më i madh lidhet me prindërit biologjikë, ku vëmë re se 30% do t’i kërkonin, ndërsa 26% e tyre do e merrnin një hap të tillë vetëm nëse prindërit (që i rritën) do të ishin dakord.
Mjafton të përmendim sa raste të tilla trajtohen nëpër emisione që kanë në qendër historitë dhe dramat njerëzore, si për shembull rubrika “Kam një mesazh për ty” tek “E diela shqiptare”
apo “Dua të të bëj të lumtur”.

Një pjesë e mirë e historive kanë në qendër fëmijë që kërkojnë prindërit biologjikë, prindërit që kërkojnë fëmijët, por sigurisht nuk mungojnë as rastet e refuzimit të një takimi mes palëve. Jo më kot 25% votuan se nuk do t’i kërkonin për aq kohë sa, sipas tyre, gjërat ndodhin për një arsye.
E në fund, kur vjen puna tek mendimi për një marrëdhënie të tillë, ai është krejt pozitiv. Pjesa dërrmuese mendon se fenomen i tillë nuk ndikon aspak në vazhdimësi, përkundrazi meriton respekt dhe dashuri.