MetroChic

Mami

16 Shtator 2014

Mami

 Vadiku rrufiste makaronat dhe kush e di çfarë planesh bënte në mëndje.

-"Nuk e di nëse do të mblidhen sërisht për librin, s’di ç’të të them." Vadiku ngre kokën vrik nga pjata. Është si një fëmijë i zhgënjyer. "Por ne mund të bëjmë party në shtëpi, hajde të lyejmë gishtat e të bëjmë make up sa herë të duash", vazhdoj unë.

- "Ti do kesh ngatërruar ndonjë gjë se nuk ka mundësi! Pse të mos e lexojnë librin, ç’të keqe ka? Çfarë ju ke thënë gjatë takimit? Të kanë përjashtuar?"

- "Asnjëra nga këto! Kisha idenë që të lexoje libër është humbje kohe, domethënë të lexojë të njëjtin libër secila në shtëpinë e saj. Ato mund të shohin film të gjitha së bashku dhe mund të komentojnë, kjo ishte ideja ime dhe u pëlqeu shumë."

- "Uhhh më ngrive gjakun, më bëre me zemër! Po ti fol! Thashë se na e hodhe skenarin në erë. Po më pëlqen ideja. Po je vajzë e zgjuar ti! Kështu ke qënë dhe në gjimnaz, e zgjuar dhe e vetmuar."

- "E vetmuar? Unëë?"

- "Po ti! Alone, për një shkronjë do të kishe emër Vetminë, Vetmi Bertrand. Sa bukur!"

- "Ore ti…kë ngacmon ti!!"

- "Nuk po të ngacmoj, më kujtohesh gjithmonë në gjimnaz, e veshur me të zeza, gjysmën e kokës të rruar. Herën e parë që më ke përshëndetur po haje një çokollatë Kiss. Tmerr, the mirëmëngjes me gojën plot. Ishte ora e fiskulturës, kisha një top në dorë u shfry direkt. Filmi UNAZA të vinte anash në gjimnaz. Nuk kam fjetur kush e di sa netë. Pastaj erdhe dhe u përmirësove Alonë!"

- "E kam emrin Alinë, por s’ka problem më thërrit si të duash dhe Beatris, dhe Ana."

- "Po moj po, jo po Elizabet, Alonë do të të thërras, se po mos të gjeje Këpucën do të ishe “forever alone” !"

Dalim nga restoranti duke pershkuar si te dehur sheshet e njëpasnjëshme të Tiranës të gjitha në rikonstruksion e sipër.

-"Do Zoti nuk po na vdes Papa në dy javë pa na vizituar, se ne jemi të pafat, do të na shkojnë punimet kot. Sa vjeç është Papa?" më pyet. Ngre supet. "Papa është shumë i madh në moshë për të qënë në interesin tim personal."

-"Se di, e kam parë vetëm një herë tek filmi “Pantera rozë”, por ka kohë ai film, do jetë plakur dhe më Papa."

Eci rrugëve duke menduar për bllokimin e trafikut ditën e mirëseardhjes së Papes, për statuset në Facebook dhe më kap veshi biseda të përgjysmuara kalimtarësh dhe telefona te ndezur që përçojnë valë tek kalimtarët e tjerë.

- "Te kanë lajmëruar cili do të jetë filmi i rradhës?" Më shkund Vadiku.

- "Jo, presin sygjerime nga unë, me qenë se unë e hodha idenë."

-  "Do të ta bëj unë një listë me filma , ti mund ta bësh dhe vetë, por me qënë se ke parë vetëm filma romantikë dhe ato deri në gjysëm sepse nuk e ke duruar dot dhimbjen, mund të të ndihmoj. Është dhe një rast i mirë për ty për të parë një film deri në fund."

 Ndërsa ai fliste e fliste pa pushim duke më ngacmuar me duar gjatë gjithë kohës dhe unë detyrohesha të ecja në cep të trotuarit gati në rrugë, mendja më shkonte tek Asaj. Mbase nuk duhet ta lija të shkonte vetëm në Durrës. Asgjë nuk do të ndodhte, por do të ishte më mirë të ndante kohën me ne, sesa në vetmi. Po unë jam vetë vetmia. Shikoj Vadikun, është e frikshme të mendoj se çfarë zotësie ka të të imponojë mendimin. Është sikur ta kishte lindur mami im! Në fakt ai ngjante më shumë si fëmija i saj, më shumë se unë e kam fjalën. Kur i dëgjoj që bisedojnë nganjëherë më duken sikur flasin gjermanisht dhe mendoj uaaa sa mirë unë kuptoj gjermanisht , domethënë kuptoj fjalët, por nuk kuptoj kuptimin e bisedës.Gjermanët kanë standarte të tjera nga ne, nuk kuptohen kur flasim.

Të paktën kjo gjermania ime nuk i ka vetullat tatuazh. Vadiku nuk të shkulet kur bëhet fjale për të pirë kafe me Mamin.

-"Drekën e hengrëm, kafen do ta pimë të tre!" Përqafohen dhe puthen si dy të dashuruar, komplimentohen pa fund si dy shoqe të ngushta dhe unë si gjithmonë mbetem nga pas, si ai personi i tretë i padëshiruar. Edhe pse Mami sapo ështe kthyer nga Italia, ka nje dashuri të paparë për sufllaqet.

-"Ha më mirë një sufllaqe, se sa një pjatë makarona, ai mishi i pjekur në hell mmmm."

Vadiku e shikon nga beli e poshte, shikim shumë domethënës.

-"Mos më shiko sot ti mua, se kam vënë disa kile, po e di si kam qënë, më e hollë se Alina."

-"Mami!"

-"Po hë se për një a që të vura në fund nuk u bë nami. Vadiku të thërret Burbuqe dhe nuk i thua gjë kurrë."

Ajo vazhdon muhabetin për qejf me Vadikun.

-"Ah të të kisha në Itali, atje është për ty ke humbur kot këtu. Le një herë që njerëzit nuk flasin broçkulla si ne."

Kthehem dhe e shoh. Ajo nuk di italisht, nga e paska kuptuar se çfarë flisnin italianët.

Kisha folur me Vadikun që të hapja muhabetin e Këpucës me Mamin, por nuk ma mori përsipër duke më nxjerrë justifikimin se do ti mbetej atij, nëse ndonjë gjë nuk shkonte siç duhej në marrëdhënien tonë.

- "Nuk kam si ia them, po dhe ti mos bëj si gocë e vogël. Thuaji që je në një lidhje."

- "Pra është momenti për t’ia thënë mendon?"

- "Jo mendoj që nuk është momenti," - ma mbylli gojën.

Dhe ja ku janë të dy që flasin e flasin, ai që i tregon mamasë time historitë e mia, por sikur janë të tijat dhe ajo që habitet dhe qesh. Degjoj për gratë, për leximin e librit, për komentet. Mamaja ka inters për çdo gjë që përfshin njerëzit e tjerë. I zgjohen shqisat, kur dëgjon për njerëz të cilët nuk i ka takuar kurrë.

-  "Po, ëhë, më trego për çfarë folët tjetër. Më duket se njërën prej tyre e njoh, mos janë gjë me mbiemer Myrtezai, se kemi pasur në lagje njërën me të njëjtat tipare, po mendoj mos është vajza e saj."

-  "Jo nuk është ajo, e njoh mirë, dola dhe një ditë për kafe me të mama, nuk e ka mbiemrin Myrtezai. Po dhe Alinë i njeh." Ngre shpatullat dhe tund kokën në shenjë mohimi për të mos i ndërprerë bisedën. Dua të shoh deri ku arrin imagjinata e Vadikut. Tregimi i tij është plot ngjyra, mjafton që Mami të qeshë.

-  "E di ti mami që gratë e pasura dalin pa portofol me vete? Po po, ato nuk kanë nevojë të paguajnë sepse i njohin. Blejnë çfarë të duan dhe i paguajnë më vonë, nëse kujtohen për t’i paguar, se ka raste që falimentojnë bizneset nga mospagesat e kryera."

Ua, ma la mamane pa gjumë! Kaq shumë informacion ajo nuk është mësuar të marrë në një vit! Zbulimi i internetit për të ishte një shkundje totale , sidomos kur i hapen 10 faqe pa dashje në laptop dhe nuk di si t’I mbyllë. Skuqet, stresohet dhe ngrin përpara ekranit! Dhe leximi i “50 hijeve të Greit” i duhej. Fjalët e Vadikut i përplasen në fytyrë, e ndjej.  Disa i hyjnë në vesh, por shumica i rrëshkasin, se nuk i kupton. E çfarë I duhet mamasë time kamzhiku i Greit? E hutoi, ma masakroi fare të shkretën. I bëj me shenjë të ndërrojë temë, por nuk kupton.

-"Ikim?"

-"Do ikësh ti, sepse unë do rri me mamin. Sapo është kthyer dhe kemi ca muhabete për të diskutuar."

Dhe ja ku mbetem vetëm me prindin femër, ballë për ballë unë dhe ajo. Më kujtohet lidhja ime e pare, të cilën ma morën vesh pas ditës së dytë, pasi u hutova aq shumë nga dashuria, sa harrova tre herë brenda ditës soben ndezur dhe për pak i vura zjarrin shtëpisë. Dhe këtu filloi ferri.  Më numëronin lugët që fusja në gojë, sa hërë ulesha për të ngrënë,  prisnin të mbaroja që të më pyesnin nëse lidhja kishte kaluar në një stad serioz apo akoma. Derisa unë u ndava dhe ndodhi gjëma!

Vajza u ngeli në derë ! Dhe kot apo plot unë në derë u ngela me të vërtetë.

Dhe ja ku jemi, persëri nga fillimi, por nuk di si t ia filloj. Sepse nëse i them : Jam në një lidhje! Kaq, do ta vë në siklet dhe nuk do të flejë natën. Nuk e meriton këtë gjë.  E përse në fund të fundit duhet të shqetësoj gjënë time më të shtrenjtë për një mashkull? I takonte Këpucës t’ia thoshte. Po, po atij! Pse duhet të marr unë përsipër situatë që nuk është vetëm e imja?

-"Ka ndodhur gjë?"

-"Jo asgjë, më kishte marrë malli, tani u çmalla, domethenë që jemi ok."

-"Shtëpia qënka një katrahurë e vërtetë, duket sikur nuk ke ndejtur fare këtu."

-"Jam kthyer vonë, kam qenë e vdekur."

Jeta me prindërit është skandaloze. Mami ka shtëpinë e saj, por nga meraku rri me mua në më të shumtën e rasteve. Njeh çdo cep të shtëpisë time, përveçse paguan dritat dhe ujin çdo muaj, sepse unë nuk mund ta përballoj si shpenzim.

-"Sigurisht, nëse blen 10 fustane në muaj, nuk do të mundesh ti paguash kurrë dritat vetë, thoshte ajo sa herë vinte fundi i muajit."

-"Nëse ke ndonjë gjë për të më thënë, unë kam kohë." Insistimi i saj po më bënte të lëkundesha , por jo, nuk ishte moment i duhur. E përqafova fort, raste të rralla këto sepse modeli kapelon me një kile llak, nuk na lejonte vendosjen e duarve rreth qafës ose afërsinë me fytyrën e njëra-tjetrës në një rreze të përcaktuar.

Marr telefonin dhe futem në dhomën time. Është koha për pak bashkëbisedim privat me Këpucën dhe ndonjë sms me Asaj!! Ideja është që të relaksohem, por është e pamundur. Më duhet të lyej flokët me qumështin e gjarprit, që pas dushit ti kem me shkëlqim dhe të derdhura. Metodë indiane kjo, se ku e gjejnë indianët qumështin e gjarprit nuk e di, por vetëm mundimi për t’ia gjetur gjoksin gjarprit dhe pastaj për ta mjelë, ia vlen që ta përdor për flokët. Pastaj maskat e njëpasnjëshme të fytyrës dhe të trupit, masazhi I lëkurëzave rrotull thonjve sepse prerja e tyre rezultoi e rrezikshme pas 1000 vjetësh që burra dhe gra harxhonin kohë dhe para për t’i prerë në sallonet e bukurisë. Prek me majat e gishtave celularin, një vazhdë veze e përzier me vaj ulliri dhe limon mbetet sipër ekranit. 5 mesazhe të pa lexuara në Whatsapp.

Damiani

Jemi ok në orën 9 të vij të të marr?

Asaj

Më tel pak kur të mundesh.

I nis nje “Ok zemër “ Këpucës dhe telefonoj Asaj.

-"Çdo gjë ok?" e pyes sapo hap telefonin.

-"Po jam ok, sapo u ndava me Gencin!"

-"Si?"

-"Sapo u ndava me Gencin. Isha rrugës për në Durrës kur më telefonoi dhe kështu që ndryshova plan dhe dola me të. Tani sapo u ngrita, sa mirë që më more Alinë!"

-"Çfarë të tha? Të tregoi?"

-"Po më tregoi . Ti çfarë ke pse flet si e mbytur?"

-"Kam vënë maskë me veze dhe nuk dua të më plasaritet. Fol ti se të dëgjoj."

-"Gjërat kanë shkuar pak ndryshe..."

-"Pse? Çfarë ndodhi? Bëtë seks? Maska u plasarit e tëra!"

-"Jo jo akoma, nuk isha gati, as isha depiluar, asgjë, por dolëm kushërinj me Gencin!"