Për mendimin tonë

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe ja pse!

27 Qershor 2018

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe

Me nisjen e sezonit veror, të gjithë përgatitemi shpirtërisht për qindra këngë që do të na shoqërojnë gjatë pushimeve, në plazh, në club, në shtëpi, në makinë etj. Pak a shumë e njëjta gjë që ndodh gjatë gjithë vitit, vetëm me ndryshimin se në këtë periudhë ne bombardohemi me këngë, por nejse kjo është tjetër çështje, për të cilën do të flasim herë tjetër. Qëllimi i këtij artikulli është muzika rep: Pse po dominon tregun për vite me radhë; Është rastësi apo jo fakti që për herë të parë në Shqipëri ka shumë artiste femra që repojnë?; Si janë raportet e saj më zhanret e tjera të muzikës etj.

Që ta sqarojmë që në fillim për të shmangur keqkuptimet në vijim midis muzikës rep dhe Hip-hopit. Shkurtimisht: Hip-Hop është kultura që përfshin muzikën rep, DJ-ing, breakdancing dhe art-grafiti. Përgjithësisht në vend të muzikës rep përdoret edhe termi Hip-Hop, ndaj në vijim mund t’i përdorim edhe si sinonime. Tani t’i rikthehemi pak çështjes kryesore: Pse muzikë rep?

Duke u nisur nga muzika botërore, e themi me plot gojën se kjo është muzika trend e momentit, gjë që po ndodh prej kohësh. Mjafton të marrim shembullin e MTV Video & Music Awards 2017, kur çmime të rëndësishme si “Video of the Year”, “Best Hip Hop”, “Best Cinematography”, “Best Direction”, “Best Art Direction”, “Best Visual Effects” u fituan nga një artist i vetëp – reperi Kendrick Lamar. Në 17 çmime në 17 kategori të ndryshme, 6 u fituan nga reperi Kendrick Lamar, ndërkohë që 4 fitohen nga të tjerë artistë reperë ose bashkëpunime me reperë: “Best Pop” – Fifth Harmoni në bashkëpunim me Gucci Mane, “Best Choreography” – Kanye West me “Fade”, “Best Editing” – Young Thug me “Wyclef Jean”, “Song of the Summer” – Lil Uzi Vert me “Xo Tour Llif3”.

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe
Kendrick Lamar.

Pra, në total 10 nga 17 i referohen vetëm muzikës rep. Po të kalojmë tek çmimet Grammy 2018: më i nominuari ishte Jay-Z, 2 fituesit kryesorë ishin Bruno Mars dhe sërish Kendrick Lamar.

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe

E njëjta gjë vlen edhe për muzikën shqiptare, që për vite me radhë po dominon Hip-Hopi. Për ta krahasuar po i referohemi edicionit të parë (dhe të vetëm) të Top Music Awards, ku pjesa më e madhe e fituesve ishin reperë: “Avantgarde Artist” – MC Kresha, “Collaboration of the Year” - Era Istrefi ft. Ledri Vula, “My Music Hit of the Year” – Ledri Vula, “Video of the Year” – Capital T, “Viewers Choice” – Noizy. Kaq pra, i bëni vetë llogaritë me 12 çmime gjithsej.

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe

I lëmë llogaritë e mërzitshme tani dhe i rikthehemi pyetjes: Pse muzika rep? (Pse kaq papritur?).

Është e vërtetuar tashmë se ky zhanër muzikor shet më shumë se të tjerët, është më gjithpërfshirës dhe rrjedhimisht më i popullarizuar; një adoleshent, një 20-vjeçar dhe një tjetër në të 30-at zor se do të dëgjojë muzikë klasike, country, xhaz etj.

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe
Bronx, New York

Aty rreth viteve ’70, në Bronx të New York-ut, mes drogës, vrasjeve, bandave etj, krejt papritur lindi edhe një lloj rebelimi le ta quajmë pozitiv ku banda të ndryshme iu drejtuan muzikë. Njerëzit që merreshin me këtë rrymë ishin më së shumti afro-amerikanë, ndërsa në vitet 2000 një fenomen si Eminemi, do të përmbyste përfundimisht raportet. Muzika rep iu përkiste të gjithëve, jo vetëm afro-amerikanëve.

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe

Kështu pra, edhe në Shqipëri vite më parë lulëzoi muzika rep, e padëgjuar shumë. Sigurisht që për shkak të rrethanave politike, në Kosovë ka qenë më e përhapur, gjë që kemi folur paksa në këtë artikull.

Për momentin, repi është më i dëgjuari në Shqipëri referuar këngëve dhe klasifikimeve. Duke iu referuar listës së tanishme të Top Music Awards, pjesa më e madhe e votimeve në Top 10 janë artistë reperë.  

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe

Të themi atë që është, të këndosh rep është deri diku më “cool”. E kemi fjalën se përmes kësaj muzike, tema si seksi, trupi i femrës, paratë, makinat e shtrenjta, të qenurit i pari etj, pra tema që kanë në thelb të qenurit superior mbi të tjerët, dalin më të natyrshme dhe më të lezetshme. Sigurisht që ashtu siç e theksuam edhe më sipër, vlerësimi i këtyre këngëve është tjetër gjë dhe nuk do të ndalemi në këtë artikull. Ndoshta më vonë do t’i bëjmë disa llogari se ç’është apo ç’nuk është muzikë e mirë. Deri atëherë, të gjithë këngët e momentin po i marrim të mirëqena si muzikë e mirë.

Tjetër arsye se pse repi po dominon është edhe përfshirja e femrave. Përgjithësisht është krijuar ideja se djemtë “e këqinj” të veshur me rroba të gjera i përkasin kësaj muzike. Por pas suksesit të Nicki Minaj vite më parë dhe Cardi B që është më e afërt, krejt papritur shqiptaret kthyen sytë nga të repuarit. Loredana, Tayna, Lil Linda, Melinda, Rina etj, ju thonin gjë pak kohë më parë? Jo.

Shqiptarët po dëgjojnë vetëm këtë lloj muzike dhe

Artistët e kanë kuptuar tashmë se të eksploruarit me repin është sukses i garantuar. Për shembull Alban Skënderaj pjesën më të madhe të bashkëpunimeve i ka me reperë: Capital T, Majk, Lyrical Son, Elinel, MC Kresha dhe Noizy. Madje jo vetëm kaq, por në këngën “Ping Pong” e sfidon veten duke repuar në një pjesë të shkurtër të këngës (2:19).

Nëse dikush do t’ju pyeste se cili këngëtar shqiptar ka më shumë klikime në YouTube, a nuk do të thonit menjëherë: Noizy, Ledri, Capital T, Mozzik, Fero etj? Nëse dikush do t’ju pyeste “Më listo menjëherë 10 këngëtarë super të suksesshëm shqiptarë që NUK këndojnë rep?, a nuk do të mendoheshit me orë të tëra për të gjetur të paktën 10 emra?

Si përfundim, për të vërtetuar gjithë ç’thamë më sipër, pjesa më e madhe e këngëve që kanë dalë gjatë këtij sezoni janë rep/bashkëpunime me reperë dhe aktualisht numërojnë miliona klikime.

Noizy feat. Raf Camora – “Toto”,
Capital T – “O Ma”,
Ledri Vula ft. Lyrical Son – “Princess Diana”,
Ledri x Buta – “Merri Merri”,
Tayna ft. Don Phenom – “Columbiana”,
Genc Prelvukaj Ft. Lyrical Son – “Anderr”,
Loredana – “SONNENBRILLE”,
Majk feat. Ghetto Geasy – “Paris Milano”,
Lumi B – “Makiato”,
Çartani Ft. Don Phenom – “Smoking Cubana”,
Ghetto Geasy Ft. Flori Mumajesi – “Dashni me raki” etj, etj, etj...

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.