Elira në botën e burrave!

Në kërkim të... telasheve?

25 Shtator 2014

Në kërkim të... telasheve?

Dhe i afrohem këtyre dy bukurosheve mbrëmë në club,- më thotë shefi,- "dhe i ofroj diçka për të pirë".

Shume mirë-, i përgjigjem përtueshëm.

Prit pra, pas rreth gjys ore duke pirë e flirtuar, vijnë të dashurit e këtyre dhe largohen së bashku.

Eh, e natyrshme- vazhdoj unë pa e ngritur kokën nga dokumentat që kisha në dorë.

Po si e natyrshme moj? Po harram e paçin atë Jegermaisterin e ilaçe ju bëfshin lekët e mia!- thotë shefi dhe shpërthen në të qeshura akoma para se të qeshja unë.

Ai dhe humori i tij! Ndonjëherë mendoja se gjysmën e gjërave i shpikte vetëm për të më bërë për të qeshur.

Sytë më lotonin ende nga të qeshurat, kur dëgjoj zërin e Ilirit: Epo ti nuk ke ditur kurrë nga ti zësh femrat or mik. Kaq vjet shokë e nuk mësove gjë nga unë. Dëgjo vllain tënd-, vazhdoi duke buzëqeshur tinëzisht,- herën tjetër do dalim bashke dhe… i hedh krahun në qafë shefit dhe e tërheq drejt zyrës sikur do ti zbulonte kushedi çfarë sekretesh.

Kishte kaluar një javë nga dita kur më ndoqi jashtë zyrës e më la të kuptoja se i pëlqeja, dhe që atëhere nuk e kisha parë.

Dhe tani shfaqet kështu, sërish me atë idene e vetëmadhështisë, pa më përshëndetur, pa më hedhur as sytë sikur të isha e padukshme.

Idiote, i hakërrohem vetes, po i jep tepër rëndësi vetes nëse mendon se ta bën qëllimisht.

Po filloja të mendoja se isha gabuar shumë në përshtypjen time fillestare mbi Ilirin.

Ndoshta ai nuk ishte thjesht një rapsod ambulant modern që kënaqej duke marrë vëmendjen e të tjerëve me historitë që tregonte, ndoshta ai nuk ishte nje show i gjallë, thjesht nje cirk lëvizës sic kisha preferuar të mendoja, por ai nuk ishte as djali me atë sinqeritetin e ëmbël te cilit i pëlqente hunda ime.

Eh, duhet ta kisha kuptuar që në atë moment, një mashkull që komplimenton hundën time s'mund të jetë veçse sharlatan. As ime më nuk e komplimenton hundën time!

Mesa duket ai ishte vërtetë ashtu, si historite e tij: një njeri aventurier dhe i paqëndrueshëm që koleksiononte femra. Ndoshta ishte të gjitha këto bashke, ose asnjë nga këto.

Po ndjehesha po aq e neveritur nga ai sa edhe e intriguar. Ishte mashkulli i parë te cilin nuk po gjeja kuti apo etikete që ti përshtatej.

Por pse po mendoja ende për të? E sigurtë ishte që nuk kisha interes te ai si burrë, si mund te kisha? Ndoshta doja thjesht ta kuptoja, ta zbërtheja, ose akoma me keq: ta mundja, ta mposhtja?

Por pse? Çfare më kishte bërë ai? Asgjë!

Mos ishte kjo arsyeja?

Mos isha xheloze që nuk isha një nga femrat që kalonin në krevatin e tij? Joooo!

Qesha sinqerisht me veten sepse mu shpif vetëm nga ideja.

Ndoshta isha xheloze për vëmendjen që ai merrte nga kolegët e mi? Kjo ishte disi më e pranueshme duke njohur natyren time ekzibicioniste.

Sa fëmijnore!

Po bëhesha gati ti kthehesha punës, kur shefi dhe Iliri dolën nga zyra dhe për nje çast sytë tanë u takuan.

Ndjeva të më priteshin sërish gjunjët si atë ditë kur më buzëqeshi dhe ajrin të pritej me thikë diku në mes distancës mes meje dhe tij.

Si shikon kjo si bufe qorre-  u çirr ai me zë të lartë sikur po i drejtohej gjithë të tjerëve dhe qeshi me të madhe dhe më një krenari për atë që tha, si ata fëmijët kur i thone njeri-tjetrit "babi im është më i fortë se babi yt"

Kjo ishte e tëpërt! Tani ai nuk ishte më i pafajshëm! Tani ai më kishte hedhur dorashkën e duelit!

U ngrita nga tavolina ime e punës dhe iu afrova me hap të ngadaltë e sy të akullt por duke shpresuar të dukesha sensuale, jo e zemëruar.

Qëndrova përballë tij duke ndjerë mbi vete vështrimet e kolegëve.

Ilir,- i thashë me ëmbëlsi, duke kaluar gishtat mbi faqen e tij të majtë,- përse nuk janë të gjithë meshkujt si ti?

Ai më pa i çuditur, me një buzëqeshje dyshuese.

Ah, po!- vazhdova- Ata kanë evoluar!

Te gjithë qeshën njëzëri, disa përplasën edhe duart, ndërsa Iliri tundte koken me buzët të mbledhura plot mllef.

Kisha fituar!

Këtë fitore duhet ta ndaja patjetër me Enkën, të cilës çuditërisht nuk i kisha folur kurrë për Ilirin.

Them çuditërisht pasi zakonisht Enka i njihte të gjithë njerëzit që njihja unë edhe pse nuk i kishte takuar kurrë. Ja përshkruaja asaj në detaje që nga kolegët e mi e deri te djemtë që shihja në autobus.

Dhe kur rastiste të takonim ndonjë nga miqtë apo kolegët e mi, nuk ishte e rrallë që Enka të më fëlliqte fare duke thirrur me entuziazëm: "Ah, ky është ai Tani hundëderri që më ke thënë!", apo "Oh, ky është zhapka!"

Sado në siklet më vinte me pakujdesitë e saj, e dija që nuk e bënte qëllimisht dhe më pëlqente e më argëtonte spontaniteti i saj, i yni.

Ndonjëherë më kishte futur edhe në telashe por nuk krahasohej me telashet në të cilat e kisha futur unë sa herë kisha ndonjë ide të çmendur apo plan "djallëzor", dhe ajo as që e mendonte dy herë dhe më ndiqte.

Enka ime ishte vajza më e qetë dhe e ëmbël që njihja, shumë e moderuar dhe e përmbajtur për veten e saj, por mua nuk më rezistonte dot.

Të dyja nuk i rezistonim dot mendimit për të më parë mua në situata problematike e qesharake, dhe ishte e sigurtë që ashtu përfundonte çdo herë.

Mezi prita të dilja nga puna për të pirë kafen me Enkën dhe të flisnim për mua.

Të flas për mua ka qënë gjithnjë tema ime e preferuar

I tregova gjithçka Enkës me një frymë, ose më mirë me dy frymë meqë fikja e ndizja cigaret njëra pas tjetrës

Enka më shihte ngultas me atë buzëqeshjen e saj acaruese që më jep sa herë që do të më thojë se ka kuptuar më shunë se unë për veten time.

-Çfarëëëë? Çfarë? Hë, thuaje! - i thashë duke u parapërgatitur që do më trajtonte si vogëlushen e saj, edhe pse të gjithë, përfshirë edhe mua, preferonim të mendonim se ishte ajo vogëlushja ime

-Aaaaaaaa, ooo te keçen!,- keshtu e niste çdo herë dhe isha mësuar që ky ishte sinjal telashesh për mua. Po ti e pëlqen atë!- vazhdoi- Ti vdes për atë! Ti e do atë!.

Dhe qeshte.

-Mjaft! Debile!

-Moj, ti e pëlqen atë!

-Nuk e pëlqej! Po ti këtë muabet ke gjithmonë

-Ti do më tregosh mua që nuk e pëlqen atë? Ti vdes për atë! Mos më trego mua ti! Të njoh unë ty cfarë bën kur vdes për dikë. Ja, e mban mend në klasë të tretë kur pëlqeje Ervinin dhe nga inati shkoje ja shkundje fshesën e klasës në kokë?

Çfare thua? -qesha me të madhe. Nuk e kam pëlqyer ndonjëherë Ervinin, kemi qëne fëmijë.

-Ua, seriozisht e ke? Akoma nuk e ditke që vdisje për Ervinin? Po të njoh une ty moooj! -dhe qeshte. Ti e urren kur le kokën per dikë dhe i shpall luftë. Ti nuk mund të dashurosh po nuk urreve! Po Kleon në klasë te shtatë e mban mend? Ti shkove i gjuajte në stomak sepse e pëlqeje.

E pranoj se qesha pa fund me absurditetet e saj por thellë e dija se ajo më njihte më mirë se kushdo dhe nuk kisha turp ti pranoja dhe të fshehtat më banale me të, por këtë herë gabohej. Unë nuk e pëlqeja Ilirin

-Mirë, mirë po ma trego pak ta shoh këtë Ilirin. Ta gjejmë në facebook.

-Po ik, ç'e do!

Ta shoh pra - këmbënguli ajo.

Nuk e di pse ma mbushte gjithmonë mendjen.

Shiko!- ulëriti- e paska profilin të hapur dhe sapo ka konfirmuar një event. Do jetë te Living Room sonte.

-Të jetë! Edhe?,- u acarova unë duke e ditur shumë mirë cfarë do sugjeronte.

-Të shkojmë!

-Nuk shkojmë!

-Do shkojmë!

-Për çfarë?

-Sepse ti do! Apo do bindesh më shumë sikur të shtiremi sikur do shkojmë për ti ulur hundën?

-Ja kam ulur hundën tashmë.

-Po mirë, ulja fare, në dysheme. E pastaj shtypja me këpucë. Me ato këpucët e kuqe me taka që duken si karamele. Hë, të lutem! Shkojmë se dhe unë jam mërzitur.

-Jo pra! Manipuluese!

-Të luteeeem! Do jem kurva jote për dy vitet e ardhshme nëse shkojmë!

-E kam dëgjuar aq herë këtë sa më duket se do ua lësh femijëve të tu këtë borxh me aq vite sa më detyrohesh.

Do shkonim. E dija që në fillim që do shkonim edhe pse po bëja të vështirën.

Siç thashë, nuk u rezistoja dot telasheve.