I dashur Peter,
Këtë muaj ne festojmë 25 vite si burrë e grua. E kam ende të vështirë ta besoj se kemi qënë të martuar prej tashmë një çerek shekulli, më duket ende sikur premtimet njëri- tjetrit ja thamë vetëm pak vite më parë. Sa shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë.
Ne u njohëm në një takim me sy të mbyllur, të cilin na e rregulloi shoqja jonë e përbashkët Anne më 1 dhjetor 1991. Mbaj mend që teksa behesha gati, atë ditë e ndryshova veshjen time më shumë se pesë herë. Isha aq nervoze për takimin me ty. Gjithashtu mendoj se pati një tërheqje mes nesh, por unë nuk e kuptova dot që kisha njohur burrin me të cilin do të martohesha. Ne filluam të dilnim dhe jo më larg se 24 ditë më vonë, në Vigjilje të Krishlindjes ti më propozove. Nuk më shkoi fare ndër mend që të njihja prej më pak se tre javësh, e dija që të doja dhe që ajo që ne kishim bashkë ishte e veçantë.
18 muaj më vonë ne u martuam. Kishim aq shumë plane, por vetëm 6 muaj më vonë unë rashë në shtrat e sëmurë. Pas një viti trajtim, duke përfshirë këtu edhe ndërhyrjet kirurgjikale kuptuam se sëmundja ime ishte kronike. Sëmundja më bëri të hiqja dorë nga puna ime si infermjere, të cilën e doja aq shumë.
Pak më vonë fillova të përdorja një karrike me rrota për të levizur, ndërkohë që ëndrrat tona për të patur fëmijë kishin ngrirë. Asgjë nuk mund të ishte më e vështirë se kjo, por ti më ndihmove me çdo gjë që munde. Unë u bëra akoma më depresive, ja vara fare shtëpisë për të kaluar kohë e shtrirë në shtrat.
I vetmi që më mbështeti në të gjithë këtë ishe ti i dashuri im Pete. Ti kurrë nuk ndalove së më mbështeturi. Për ty asgjë nuk ishte shumë e vështirë dhe me ndihmove në çdo mënyrë të mundshme, madje ti më ndihmoje të rregulloja edhe flokët. Ti më deshe në kohën time më të vështirë.
Për nëntë vite me radhë jeta jonë ishte kështu, deri sa unë solla në jetë fëmijën tonë në vitin 2002. Maria solli një dritë në jetën tonë. Ti je një baba i mrekullueshëm, i kujdesshëm dhe i dashur.
Ti punon aq shumë në fabrikë, por kurrë nuk ankohesh. Shtëpia jonë është një vend aq i lumtur dhe ne të tre qeshim gjatë gjithë ditës. Emri yt do të thotë “gur” dhe ti vërtetë je guri i jetës time.
Të çmoj ndaj dua të të uroj një përvjetor të lumtur. Faleminderit për 25 vitet e shkuara, ti më ke bërë një grua vërtetë të lumtur. Nuk e di ç’do të na sjellë e ardhmja, por di që do të jem këtu sa herë që ti të kesh nevojë…
Të dua, Peter
Marrë nga : The Guardian