Duke parë sa shumë u pëlqye segmenti i skeçeve me vajzat makth në takime të para, s’mund të linim pa realizuar të anasjelltin. Prandaj, episodin e dhjetë të “Hostel by Anabel” e mbyllëm me shtatë takime të tmerrshme, meritë e djalit. Ermir Hoxhaj, student në Universitetin e Arteve për aktrim, dhe Viola Gjoleka bënë një punë të shkëlqyer.

Atij që i duket vetja joshës i parezistueshëm nuk le rast pa i shpëtuar për të folur për seksin, në një mënyrë a në një tjetër.

Ndërsa ai që numëron qindarkat sheh mundësi kursimi kudo.

I martuari në krizën e mesomoshës, që është i lirë vetëm 5 me 7 pasditeve, kërkon një të dashur për t’u ndjerë më i ri. Ç’e do që s’e lë gruaja të qetë.

Keni ndonjë shoqe që i është bërë jeta ferr nga ish-i që e përndjek e s’ka ndërmend t’i shkitet? Kontrolloni episodin e dhjetë njeherë, mund të jetë aty.

Sedërliun, të preferuarin tim, e kam njohur me dhjetëra herë dhe s’më ka zhgënjyer kurrë. Është si personazh filmash, që për çudi ekziston.

Mund të them të njëjtën gjë për imigrantin që do nuse në gusht. Ai është efiçent, produktiv, s’ka kohë për të humbur dhe kafen ta jep tek Big Ben, jo dokudo.

Dhe në fund, tipi që ka shumë lekë, por ti s’do e marrësh kurrë vesh nga i gjen. Sipas tij të paktën, importi i grurit nga Ekuadori dhe kthimi në hashure është biznes tejet fitimprurës.
Episodin e dhjetë mund ta shihni që tani në YouTube.
Ndësa dy episodet e radhës dhe të fundit për këtë sezon mund t’i ndiqni në INTv të hënave në 17:00, të martave në 12:30 dhe të shtunave në 19:00.