E ftuar pasditen e djeshme në “Pushime on Top” ka qenë Floriana Garo. Teksa pushon plazhet e jugut të vendit, ish-moderatorja ka folur për jetën si nënë e re, bashkëshortin dhe dasmën e madhe që do të bëjë së shpejti në Shqipëri.
“Po e shijoj shumë kohën që po kaloj me vajzën time, duke u lidhur më shumë me të, duke u kujdesur më shumë për të këtu pasi kemi qenë bashkë me njëra-tjetrën. Vajza është gjëja më e rëndësishme në jetën time, po kaloj pushime të gjata dhe doja që të rrija me të në ajrin e detit të Shqipërisë.”
Ardhja e vogëlushes, duket se ka ndryshuar tërësisht rutinën e Florianës.
“Nëse dikur bëja gjithçka për veten time, tani s’jam më unë e para, është ajo. Vajza do një përkushtim maksimal. Unë i këndoj, kam mësuar të thur edhe vargje për të.”- vazhdoi Garo teksa u shpreh se planet e së ardhmes premtojnë një familje shumë të madhe.
Ndër të tjera, prezantuesja e “Jo vetëm modë” rrëfeu detaje nga historia e saj me Enisin.
“Jemi njohur në Portofino. Ne po planifikojmë për vitin tjetër të kemi një dasmë të madhe në Shqipëri, pasi këtu kemi njerëzit tanë.”- zbuloi Floriana e cila shtoi se falë bashkëshortit të saj, ia ka dalë të përshtatet më shpejt me jetën e re në Gjeneve, që siç tregoi ka qenë një sfidë më vete.