Një grup studiuesish italianë dhe shqiptarë përpiluan një raport të bazuar mbi monitorimet e mediave shqiptare në lidhje me keqpërdimin e imazhit të grave dhe vajzave, “Sexualization of Girls and Women In Albanian Media”.
Projekti “(Not) As You Want Us”, “(Jo) Siç na doni ju” vendos theksin tek gjuha seksiste, shfrytëzimi i imazhit të grave në media dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë civile mbi fenomene të tilla.
Sipas të dhënave të grumbulluara, në raport theksohet se ekzistojnë shumë foto/video online dhe jo vetëm me përmbajtje të tilla:
- një grua me gojën hapur për të kujtuar seksin oral;
- gra me këmbë të hapura, foto që fokusohen tek organi gjenital si gjest për të imituar marrëdhëniet seksuale;
- gra pa fytyrë;
- buzë të ekzagjëruara, makeup, qerpikë të theksuar, sy të mëdhej që transmetojnë një imazh të gabuar të trupit të tyre;
- gra të portretizuara pranë një burri, ku duken të nënshtruara dhe të disponueshme për seks etj.
Disa prej fotove i gjeni në vijim, ndërkohë që të tjerat mund t’i shihni në raportin e plotë.
Kërkimi është bazuar tek videot muzikore dhe ato të reklamave, fotot e shpërndara nëpër rrjete sociale dhe artikujt e mediave online.
Meqë jemi tek këto të fundit, i vetmi artikull i Anabel.al, që sipas kërkuesve, transmeton një imazh të gabuar është ky që tregon për mënyrën si t’i bëjmë vetullat të duken më të plota.
Në fakt, kemi folur për këtë fenomenin “Barbie Effect” (nga vetullat e trasha e deri tek celuliti) në një tjetër rast, atëherë kur me ironi përmblodhëm disa prej “këmbëve më seksi të vajzave shqiptare”, në kohën kur portale të ndryshme vlonin nga një "debat-shterpë" mbi këmbët e gjata dhe ato të shkurtra.
Siç e kemi theksuar në fund të artikullit të mëparshëm, qoftë vetullat apo celuliti, në Anabel nuk trajtohen kurrë si sëmundje, nga e cila duhet të shpëtojmë patjetër, por thjesht si diçka që bezdis një pjesë të grave ndaj pse të mos i marrin vesh disa hile.