Elira në botën e burrave!

Ana tjetër e hënës

9 Tetor 2014

Ana tjetër e hënës

Vazhdova ta shihja Ilirin herë pas here ne zyrë tek gajasej me shefin tim, por tashme gjithçka rreth tij më dukej e zbehur.

Unë jam si ata fëmijët e vegjël që pasi e kanë kuptuar si funksionon një lodër, e hedhin tutje

Atë natë në club, kisha arritur ta zbuloja natyrën e Ilirit dhe tashmë nuk kishte çfarë të më intrigonte te ai. Më dukej se e kisha konsumuar atë ende pa e prekur. Por vetëm më dukej, deri dy javë më pas, në ditëlindjen e shefit.

Në festën e tij kishin ardhur të gjithë, kolegë dhe miq, nga ata që shoqëroheshin nga gratë, por edhe ata që luajnë beqarin.

Dikur nga mesi i festës, unë dhe shefi ishim ulur në të njëjtin kolltuk duke biseduar me zë të ulët, të lodhur nga rrëmuja.

- Betohu në Zot! - tha shefi- Vërtetë ti ke dy shoqe lesbike? -Unë nuk besoj në Zot- i thashë.  -Si? Ti nuk beson? Po pse nuk beson? -Sepse nuk kam nevojë! -Të gjithë kemi nevojë të besojmë….  -Jo të gjithë, vetëm injorantët dhe frikacakët!  Shefi shqeu sytë nga habia ose zemërimi dhe u bë gati të më kundërshtonte.  -Ti i shprehke mendimet e tua si postulate. Çfarë arrogance! Më pëlqen!- tha Iliri që mesa dukej na kishte dëgjuar dhe i bëri vend vetes në kolltuk, i paftuar.

U gjënda e ulur në kolltuk mes shefit dhe Ilirit e habitur, por edhe e vetëkënaqur nga fjalët e tij. - Faleminderit!- i thashë ftohtë dhe i dhashë trupit para per t’u ngritur që aty. -Prit,- më kapi për krahu Iliri- pra ti beson në asgjë?  -Jo. A nuk është besimi në asgjë, një tjetër besim? Unë nuk besoj, unë mendoj. - Dëgjo çfarë mendoj unë.- tha Iliri.

Perfekte, thashë me vete, tani u dashka edhe të dëgjoj çfarë mendon palaço i fshatit. -Ti- i tha shefit- mi kurse bisedat fetare. Vajzës nuk i interesojnë.

Oh sa mirë, tani ai vendos edhe çfarë me intereson mua ose jo. Ndjeva të më kërcisnin dhëmbët nga zemërimi si çdo herë që kisha të bëja me Ilirin.  -Unë mendoj- vazhdoi ai- që ne jemi thjesht qënie rastësore, si gjithçka tjetër. Nuk ka asgjë të veçantë te ne. Nuk ka asnjë "mision" apo qëllim në ekzistencën tonë. Ndaj unë e shijoj këtë mundësi unike dhe të kufizuar në kohë për të jetuar. - Po arsyeja, ndërgjegja, shpirti?- iu hakërrye shefi.  -Ah ato! Sinonime të së njëjtes gjë. Ndërgjegja është thjesht aksidentale. Një aksident i lezetçëm në evolucionin tonë.  Unë u ndjeva e shokuar. Jo vetëm që nuk ma merrte mendja që Iliri te dinte të formulonte dhe artikulonte të tilla mendime, por mbi të gjitha që të ishin kaq të ngjashme me mendimet e mia.

Ai po më tregonte se kisha ende për të zbuluar rreth tij dhe ky ishte një stimul i ri për mua.

Fëmija brenda meje zbuloi gjymtyrët e fshehura të lodrës së vjetër. -Ah, pra besimi yt qënka evolucioni?- e pyeta për ta ngacmuar më tej. -Jo! Njësoj si ti, dua të jem i lirë nga besimet. Është skepticizmi ai që sjell liri dhe progres. Unë vetëm sa ju referova evolucionit si teoria më optimale në kushtet e njohurive që zotërojmë deri sot.-tha ai.  

Ky nuk mund të ishte i njëjti njeri që shkrepte dokrra ekzibicioniste nëpër zyrë, që rendte si palaço nëpër clube e që më komplimentonte, injoronte e ofendonte, të gjitha njëkohësisht.

Apo mundej?

Mundësia që ai ishte të gjitha këto bashkë dhe më shumë, më intrigoi thellë. Ndjeva tension dhe eksitim nga pritshmëria e së panjohurës dhe larmishmëria që mund të prekja te ai. -Unë po lëviz, ju të dy bashkë jeni tepër për mua- tha shefi dhe u ngrit duke më ngecur vetëm me Ilirin. Duhet të kisha qënë unë ajo që largohej por isha gozhduar aty, madje isha rehatuar me shpinën në kolltuk me dëshirën për të biseduar, që zakonisht ma ngjallin vetëm takimet e para.

Kisha gjithnjë tendencën ti konsumoja gjërat dhe njerëzit shumë shpejt dhe njëherësh derisa nuk ngelej më asgjë interesante për mua aty dhe atëherë largohesha për te gjëja interesante e rradhës duke lënë pas thatësirë.

Pata frikë se këtë po bëja edhe me Ilirin. Në fund të fundit jam binjakët sikurse mora vesh se ishte dhe ai. Kjo shpjegonte njëqind personalitetet e tij.

Biseduam me uri të madhe për nja dy orë të mira.

Kur shihja se si ai drejtonte shpinën dhe shtynte trupin drejt meje sikur donte të përpinte ato që do thoja, përfshihesha edhe më shumë e nuk më mbyllej goja.

Fundja, a ka stimul më të mirë se të ndjehesh e dëshiruar?

- Elira, pse nuk shkojmë diku tjetër?- më tha ai, kur pa se të tjeret po largoheshin dhe festës po i vinte fundi. -Harroje!- u nervozova- Unë nuk do bëj seks me ty! U ngrita per tu larguar.

Bisedat interesante më kishin bërë ta harroja çfarë predatori ishte dhe nuk doja t'ja jepja atë kënaqësi, edhe pse po e dëshiroja gjatë gjithë mbrëmjes.  Nuk ka rëndësi-tha ai me zë lutës- Dua të rri me ty. Të lutem!  Pseeee?- e zgjata zërin.

- Pse? Nuk e di pse. Sepse! Ndjej që kam nevojë të rri me ty. Nuk dua të ndahem nga ty sonte.

Dëgjo Elira - dhe më shtrëngoi dorën duke më bërë të ndjehem shumë e pambrojtur para tij.- E di që jam sjellë keq, por ti nuk e di...

- Çfarë?

- Atë ditë në zyrë...kur të quajta bufe qorre para të gjithëve...Unë pata frikë. Unë nuk doja. Më kapi paniku. Nuk dija si të reagoja ndaj mënyrës si më pe...dhe më kapi paniku. Ti ke vërtetë ca sy të mëdhenj e të çuditshëm si buf- dhe qeshi- dhe njeriu nuk di si të reagojë ndaj kësisoj sysh, e di?

Në të tilla raste e urreja faktin që edhe unë, pavarësisht fasadave, isha thjesht femër si gjithë të tjerat dhe disa fjalë të ëmbla kishin pushtetin të më bënin ti tërhiqja kthetrat e mia dhe të lija jashtë vetëm një palë putra të buta. - Eja me mua- i thashë dhe e tërhoqa jashtë, larg syve të të tjerëve. Ja mora fytyrën në duar dhe e putha gjatë, pa gjuhë.

Pashë në sytë e tij dhe në nofullat që i shtrëngonte, dëshirën që kishte për mua.

Ky lloj pushteti më bëri të ndjehem po aq e fortë sa edhe e dobët, por jo më pak kokëfortë se ç'kam qënë gjithë jetën. -Siç të thashë, unë nuk do bëj seks me ty!- i thashë sërish dhe ika.

Ai nuk foli, nuk më thirri, as më ndoqi pas siç ne të gjitha presim dhe shpresojmë.

Eca në Tiranën e ftohtë të janarit në këmbë dhe me ndjesinë e syve të tij kudo mbi trup.

Budallaqe! Tani mund të ishe duke bërë seks, i thashë vetes atë mbrëmje teksa laja dhëmbët para se të flija.