Bekuar qoftë Instagrami që s’resht së na dhuruari. Blerina Kanxha, në vend që të qëndronte tek tipikja “Ask me a question”, pyeti ndjekësit e saj cili është momenti më epik në televizionet shqiptare, qofshin intervista, emisione, çaste, dështime. Unë, një njeri që jua do të mirën, i listova këtu që ju të bëheni nostalgjikë e të qeshni.
Shënim: Momentet janë renditur në mënyrë rastësore.
Zhaku dhe Kastro Zizo në “Zonë e Lirë” në janar të 2013-s, puntata ku Kastro tha të famshmen “Pse mo u bezdise ti? Po ule kokën aty dhe ik, ose ik, idiot!” pasuar nga një ‘a sa bukur a” nga Arian Çani.
Rudina në maj të këtij viti tha “e përshëndesim Dr. Florin se ndoshta është duke na ndjekur aty ku është.” Landi pa lart dhe e përshëndeti me dorë. Miri thjesht pa lart.
Nadir Murra! Nadir Murra u hodh nga godina 15-katëshe e Tirana International Hotel dhe mbijetoi! E vetmja video që gjendet në internet është kjo.
Blendi Fevziu që i ulëret “O Lame, pusho!” Artan Lames. Videoja e emisionit nuk gjendet në YouTube, por kemi diçka më të mirë: këngën e bërë posaçërisht për 20-vjetorin e “Opinion”. Falenderojmë publikisht Flori Mumajesin për këngën.
Akoma më epik ishte momenti i pajtimit, ku Lame i shkoi në studio me jatagan dhe shpatë.
Ferdinand Xhaferri, kur kandidonte për kryetar bashkie në Durrës në vitin 2011, premtoi se do të “përmirësonte cilësinë e rërës dhe diellit.” Videoja është fshirë kudo, por ne s’do ta harrojmë kurrë.
Ndarja e Olsit në Big Brother , modelet e flokëve, tatuazhi i Noçes , gjithçka rreth kësaj videoje është epike.
Meqë jemi te Big Brother, sherri mes Ildës dhe Mardiolës, ku tasi i sallatës fluturoi nga njëra anë e tavolinës në tjetrën duhet përfshirë medoemos.
Gjërat e mira s’kanë fund. Dërgoni më shumë momente epike në Facebook a Instagram dhe s’i dihet, ndoshta bëjmë një listë tjetër.