Udhetim

Budapesti është kaq i lirë, sa është mëkat të mos shkosh

Shkruar nga Anabel

29 Tetor 2018

Budapesti është kaq i lirë, sa është mëkat të
Gellert Spa

Së fundi, kam vënë re një dyndje të miqve dhe kolegëve të mi drejt Budapestit. Dikush, dikur, zbuloi se biletat e avionit nga Prishtina drejt kryeqytetit Hungarez ishin shumë lirë dhe aq u desh që fjala të merrte dhenë. Në ndihmë të atyre që kanë në plan të udhëtojnë drejt Budapestit, mblodha këtë listë me këshilla nga ata që e kanë vizituar tashmë.

Për të krijuar një ide mbi çmimet e biletave të avionit, intervistova tre njerëz të ndryshëm. Të gjithë u nisën nga Prishtina dhe vetëm udhëtimi kushtoi 20, 30 dhe 79 euro. Në varësi të datës së prenotimit, çmimi mund të jetë edhe më i ulët. Gjithashtu, duhet marrë parasysh rruga deri në aeroportin e Prishtinës, i cili me autobus kushton 20 euro, vajtje-ardhje.

Akomodimi në Budapest është i lirë, sidomos nëse gjeni apartamente apo shtëpi në AirBnB, ku mund të aplikoni filtra përsa i përket intervaleve të çmimit që jeni të gatshëm të paguani. Konsultohuni vazhdimisht me hartën që të siguroheni se apartamenti nuk është shumë larg qendrës apo vendeve që doni të vizitoni.

Budapesti është kaq i lirë, sa është mëkat të
Széchenyi Chain Bridge, ura që lidh dy anët e qytetit, Budën dhe Pestin

Në Hungari, anglishtja nuk është shumë e përhapur dhe mund të hasni vështirësi në komunikim. Gjithashtu, këshillohet të mos shkoni me lekë në destinacion apo t’i thyeni lekët në fjalë në aeroport. Monedha e Hungarisë quhet forint dhe gjendet me vështirësi në Shqipëri, për të mos thënë që nuk gjendet fare. Nisuni me euro dhe përdorni pikat e shkëmbimit të monedhave në Budapest. Tregohuni të kujdesshëm me kursin e këmbimit, konfirmojeni online përpara se të bini dakord mbi shkëmbimin, dhe vini re sa tarifoheni për shërbimin.

Google Maps është shumë i volitshëm jo vetëm në Budapest, por kudo. Miqtë e mi që vizituan Budapestin së fundi e përdorën për t’u orientuar dhe për të gjetur stacionet e autobusëve, metrove apo tramvajit. Për sa i përket biletave të transportit publik, duhet të keni parasysh se duhet të blihen para udhëtimit në makinetat në pranësi të stacionit, me anë të parave apo kartave të debitit a kreditit.

Në rast emergjence, mund të telefononi të njëjtin numër si në vend, 112. Ambasada e Shqipërisë në Budapest ndodhet në Andrassy ut 132 dhe mund ta kontaktoni në këtë numër: +36 30 201 3676.

Budapesti është kaq i lirë, sa është mëkat të
Sheshi i heronjve

Kur kërkova të di mbi atraksionet turistike në Budapest, më dhanë përafërsisht të njëjtat përgjigje. Parliament House, Szechenyi Spa, Shoes on the Danube Bank, Budapest History Museum, etj. Këtu mund të gjeni një listë të shesheve më të bukura në Budapest dhe këtu, një listë me atraksionet më popullore.

Për të kursyer, miqtë e mi hëngrën në restorante fast food si McDonalds, Burger King apo Subway. Nëse nuk jeni si ata, TripAdvisor është miku juaj më i mirë.