Diss-et e shumta, krejt papritur, ashtu si nga hiçi, duket se do të vazhdojnë. Kënga më e re e Tayna-s ka ngjallur sërish debat fill pas lançimit të videoklipit. "Pow Pow” – një këngë hip-hop pak më trap, sipas reperes, më gangsta dhe më direkte – është pasur me komente të shumta online.
Fillimisht ishte Arta Memedi e cila reagoi në Instagram duke shkruar ndër të tjera:
“Ti zemër zërat nëpër këngë ‘Aaaaah’ i ke mësuar në tjetër vend, po ke ngatërruar skenat me krevatin, s’ke faj as ti! E mos na dil nëpër televizione për të folur për ligjin e tërheqjes ose ligjin e “bananes”, s’je shembulli i duhur për suksesin e rinisë. Suksesin e ke falë Rina Balajt dhe ofendimeve për të dhe falë atij që t’i ka blerë ndjekësit, klikimet etj. E herën tjetër, na bëj tag kur na kushton disa rreshta, mos u frikëso.”
Sipas saj, kënga “Pow Pow” do të fshihet nga YouTube-i sepse “ka qenë aty kur i kanë dalë rrënjët kësaj pune dhe di më shumë gjëra se publiku.”
Nga ana tjetër, Fifi postoi një InstaStory duke shkruar “Arta Memedi, got your back” – që do të thotë se është e gatshme për ta ndihmuar dhe për ta përkrahur.
Por, nuk mbaron me kaq! Nisur nga komentet e ndjekësve, të cilët shkruajnë se “Fifit nuk ia mban t’ia thotë gjërat Tayna-s direkt”, ajo ka reaguar sërish.
“Komente si këto marr shumë, llogari false të ndjekësve të ‘reperes në fjalë’...Po unë jam mësuar me këtë lloj gjuhe dhe nuk është se më pengon. Ende më vjen keq për vrerin që nxirrni bashkë me të. Dhe s’ka shanse që ta kem halë në sy, sepse nuk më pengon suksesi i dikujt nëse e meriton...”, shkruan fillimisht për të vazhduar më pas duke sqaruar pjesën e peshës.

Përsa i përket Tayna-s, ajo nuk ka reaguar, por është mjaftuar vetëm duke postuar foto/video të ndjekësve dhe VIP-ave që kanë mbështetur këngën e re, përfshirë këtu Ledri Vulën, Dafina Zeqirin, blogeren skoceze Jasmine Regmi etj.
“Gratë e fuqishme mbështesin njëra-tjetrën”, shkruan Tayna në InstaStory-n e Dafit.