Anjeza Maja, e ftuar në “Trokit” në InTv, u përball me të shkuarën e saj. Thuajse dy dekada më parë, Maja sfilonte pasarelave të Miss-it dhe përfaqësonte Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare. Ajo vetë mendon se pjesëmarrja në këto evente i dha shtysën që i nevojitej për të arritur aty ku është sot.
Përveç saj, edhe Hygerta Sako, Nevina Shtylla, Valbona Selimllari, Almeda Abazi nisën në pasarelat e Miss-it dhe janë sot figura të njohura të televizionit. Vajza të reja, që synojnë pikërisht televizionin, janë përpjekur të ndjekin këtë taktikë dhe famën përmes Instagramit paralelisht. Anjeza mendon se gjërat s’janë kaq të thjeshta dhe vërtet s’janë.
“Televizioni ka pasur një sitë, tani nuk e ka më. Ndoshta ndikojnë edhe mediat sociale. Kam përshtypjen se televizionin, apo çfarëdolloj pune nuk e bën dot nëse nuk ke dot eksperiencën e duhur, nëse nuk ke kaluar shumë vite, hallkë pas hallke. Nëse nuk njeh prapaskenat, nëse nuk di të montosh një minifilm, të kesh bërë gazetari apo edhe të kesh një fjalor,” tha ajo. “Duhet të punosh pafund deri sa të dalësh në ekran.”
Sidoqoftë, ky fakt nuk e mërzit Anjezën. “Bota është shumë e madhe. Secili ka vendin e vet.”