Siç mund ta keni lexuar, lëvizja “Për Universitetin” akuzoi dje (e hënë, 3 dhjetor) për plagjiaturë, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Sipas tyre, ajo kishte kopjuar punën kërkimore të një studiuesi nga Afrika e Jugut. Manastirliu ka hedhur poshtë akuzat duke reaguar kështu:
Akuza e sotme rreth Doktoraturës time, nuk është një nga ato akuza të përditshme, për të cilat mjafton një reagim mohues. Eshtë një akuzë që cënon direkt dinjitetin tim, atë të profesorëve të mi dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
“Doktoratura ime është realizuar, bazuar në Rregulloret e FSHN, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Edhe pse për të kuptuar falsitetin e akuzës, do të mjaftonte fakti që akuzuesit i referohen vetëm 4-5 citimeve nga një material shkencor prej 96 faqesh - të shkëputura këto nga pjesa teorike e materialit, dhe jo ajo eksperimentale shkencore - prapëseprapë kam kërkuar vlerësimin dhe analizën e profesorëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Sepse për vetë natyrën e punës që bëjnë përditë, besoj se janë ata që kuptojnë, vlerësojnë dhe munden të konkludojnë në lidhje me këtë studim.
Në fakt, punimi im, ashtu si çdo doktoraturë tjetër, në pjesën teorike ka jo vetëm këto, por edhe të tjera referenca (të përmendura në 4 faqe citime në fund të punimit), të cilat lidhen me temën e mbetjeve urbane në landfill-e. Diferencën në këto studime e bën ndryshimi në analizat kimike të objektit konkret të studimit dhe analizimi i këtyre rezultateve, të cilat vërtetojnë origjinalitetin e punimit[...]”
Ministrja shton se ka punuar me profesionalizëm në kryerjen e detyrës, falë përkushtimit dhe udhëheqjes shkencore të profesorëve të nderuar.
Por çështja nuk mbaron këtu. Gazetari Edi Goga ka publikuar një foto në Facebook, ku me sa kuptohet ka kontaktuar me Fannie Mnisi-n,
personi nga Afrika e Jugut, i cili shprehet se “është në dijeni të ngjarjes dhe po qesh me lot”. Arsyeja? Sepse vetë ai e ka kopjuar nga një studiuese nga Bullgaria.