Elira në botën e burrave!

Po tani?

23 Tetor 2014

Po tani?

- Çfarë të ka gjetur kështu Elira? Vër pak make-up për hir të Zotit, nuk kemi zemër kaq të fortë.- tha shefi duke u zgërdhirë sapo hyra në zyrë.

U ngërdhesha dhe bëra një fytyrë imituese dhe u ula në tavolinën time të punës pa thënë asnjë fjalë.

- Shiko si llastohet kjo! Mos e mblidh më atë hundën ashtu se do të të pushoj nga puna, kaq po të them.

- Pse? Ke frikë se nuk vetpërmbahesh dot?- iu përgjigja dhe e rrudha hundën sërish si për inat.

Duke e ditur se shefi ishte vërtetë i dashuruar pas meje në mënyrë sekrete, argëtohesha duke e ngacmuar dhe bërë shaka me të gjithë kohën por edhe ai do bënte gjithçka për të më bërë të qeshja por ama ishte kujdesur për mua që ditën e parë që fillova punë aty dhe sa herë kisha qenë e mërzitur, më kishte përqafuar gjatë në zyrën e tij ku nuk mund të na shihnin thashethemexhinjtë e zyrës.

Për shkak të përqafimeve të tij aq të pafajshme, unë shpesh e thërrisja "Mami", dhe ai çdo herë më lutej të mos e thërrisja ashtu para shokëve.

- Seriozisht, çfarë ke? Ke qarë?- më pyeti këtë herë me shqetësim.

- Jo,  jooo, më duket më ka zënë gripi. Kështu është kur fle lakuriq në mes te dimrit...- për pak kafshova gjuhën time llafazane.

- Lakuriq... - përsëriti ai sikur i ra pika.

- Eh po hë, më zuri gjumi sa dola nga dushi. Budallaqe!- u justifikova unë shpejt e shpejt dhe ai sikur u lehtësua. Do t'i binte pika sikur ta dinte se kam dikë në jetën time, aq më shumë shokun e tij të ngushtë.

Por aftësia ime për të gënjyer shpejt e pa u menduar, bëri që shefi të më linte ditën  të lirë të shkoja në shtëpi për të pushuar. Ndërsa unë si kuçkë mosmirënjohëse po mendoja vetëm se mund të ftoja Ilirin sërish nga shtëpia ime, nuk isha edhe aq sëmurë sa dukesha  në fund të fundit.

Gjithsesi nuk do isha kurrë aq sëmurë sa për të mos bërë seks. Më vjen keq që me këtë pohim t’i rrëzoj të gjitha justifikimet e femrave por kjo është e vërteta e bukur.

I telefonova Ilirit gjithë qejf.

- Je me grip? Po jo zog, se mua më ngjitet gripi direkt dhe po mu ngjit gripi mua e merr vesh gjithë Tirana, filloj shkruaj amanetet, mund të më bjerë edhe të fikët nga teshtimat. Dhe gjithsesi jam në punë.

Ishte në punë tha. Nuk e di pse u çudita, sikur mendoja se një njeri si ai bënte një jetë bohemiane dhe ushqehej me lapsa me ngjyra. Tani po vrisja mendjen se çfarë pune bënte.

U përpoqa ta hiqja mendjen nga Iliri, u shtriva të shijoja gripllëkun tim, provova edhe të lexoja ndonjë libër por me temperaturën që më ishte rritur dhe kujtimet e një nate më parë, nuk mund të përqëndrohesha në asgjë.

Doja ti telefonoja Enkës dhe duke qarë t’i thoja: “E di që po deliroj nga temperatura por unë e dua atëëëëë!”

Por në vend të kësaj zgjodha të flliqesha me "mamin". I telefonova shefit duke qarë:

- Jam keq, nuk po më lënë qurrat të rritem, duhet të vish këtu!

Pas gjysmë ore shefi ishte në derën e apartamentit tim me 1 pako rhinostop për gripin dhe një pizza në duar.

- Nuk të ka mësuar mami që në këto raste sillet komposto?- i thashë dhe mendova se të gjithë meshkujt janë kaq të gatshëm dhe të kujdesshëm për aq kohë sa nuk të kanë akoma.

Shefi dukej i emocionuar, me siguri sepse ishte hera e parë në ato dy vjet që punonim bashkë që e ftoja në shtëpinë time.

As vetë nuk e dija pse e thirra, as që kisha ndërmend të futesha në ndonjë nga ato marrëdhëniet shef-asistente aq të parashikueshme por kisha nevojë të mos rrija vetëm, por tani që ai ishte aty kisha frikë ti jepja ndonjë sinjal të gabuar dhe në përpjekje për  t'ja  bërë të ditur pa e lënduar i thashë:

- Adi, ty të kam si motrën time!

Ja ku e thashë prapë një nga ato budalliqet e mia të pamenduara dhe u mundova të qeshja si një fëmijë i djallëzuar.

- Eja këtu- tha ai dhe më tërhoqi mbi divan- si bën si beb i vogël vetëm se të ka zënë gripi. Kot bën si grua e fortë ti, e di që brenda teje ke një lepurushe të vogël.

- E di- i thashë - mjekët thonë që po ta heq në mënyrë kirurgjikale, mund të vdes.

- Elirë, nuk të kam kuptuar, pse ke zgjedhur të jetosh vetëm? Një femër ka nevojë për mbrojtje dhe siguri...

-Mos po përpiqesh të më shesësh ndonjë lloj linesi të ri?

Ai u gajas së qeshuri dhe më tërhoqi akoma më pranë dhe më përqafoi ngrohtë.

- Po mirë, ti nuk ke frikë për shembull se ja, te vjedhin a të përdhunojnë- vazhdoi ai.

- Po ti nuk më paguan aq shumë sa të kenë çfarë të më vjedhin- e ngacmova- dhe unë kam krijuar metodën time antipërdhunim.

- Ou?

- Ëhë, - i thashë- ja është e thjeshtë. Po më përdhunojnë mua?

- Po të përdhunojnë.

- Shumë mirë! Unë do i hedh një vështrim te dhembsur e pastaj duke nënqeshur do i them "Seriozisht? Me atë ke ndërmend të më përdhunosh?"

Shefit i plasën thërrimet e picës nga goja dhe sa nuk u mbyt duke qeshur.

- Gjithsesi- vazhdova- nëse stimuloj pak klitorin, mundet edhe ta shndërroj përdhunimin në një eksperiencë më të këndshme.

- Sa e poshtër je! Edhe llafazane! Hë, hë se nuk të ndodh gjë ty, çdo pervers do ndjehej inferior ndaj fantazisë dhe humorit tënd. E poshtër! E poshtër!

Ndenja ashtu në përqafimin e tij të ëmbël derisa më kishte zënë gjumi, dhe atë po ashtu.

Nuk e di sa orë kishin kaluar kur u zgjova nga troktije të forta në derë. Këto kohë sikur po marr shumë vizita, mendova. Me siguri do jetë Enka që do jetë bërë merak se nuk i jam përgjigjur në telefon.

Përmes syrit magjik pashë që ishte Iliri dhe sa nuk më ra pika. Më kapi paniku.

Nuk e di a kisha frikë se ata të dy do ziheshin apo se mund të humbja Ilirin, ndoshta edhe punën. Natyrisht që Iliri nuk do ta besonte se thjesht na zuri gjumi duke bërë muhabet.

Vrapova në dhomën e ndjenjes ku Shefi flinte ende mbi divan:

- Çohu! Çohu! Ka ardhur mami!

- Mami im? - u përgjigj ai përgjumësh.

- JOOOO! Mami im! Çohu! Duhet të dalësh! Nga dritarja!

- Nga dritarja?! Elira, jam 36 vjec, jo 17 për atë Zot!

- Po! Po! Në kat të parë jemi, nuk do vdesësh- i thashë dhe e tërhoqa drejt dhomës së gjumit ku dritarja të nxirrte në rrugë. I dhashë këpucët e tij në dorë dhe gati po e shtyja të hidhej sa më shpejt.