Momenti më i bukur “nënë e bijë” i vitit!
Jennifer Lopez publikoi videoklipin e “Limitless”, kënga e filmit të saj “Second Act”, që u lançua sot.
Në video – ku tregohet një histori suksesi dhe vendosmërie – merr pjesë edhe vajza e J Lo-së, Emme. Ajo luan një version më të hershëm të nënës së saj.
Gjatë klipit, Emme 10 vjeç dhe Jennifer 49, shihen duke ngjitur me vështirësi një kodër. Të dyja refuzojnë të heqin dorë dhe duan me patjetër të ngjiten në majë.
Pasi vogëlushja ia del me sukses, kap një gjethe dhe shikon aty pasqyrimin e të ëmës – Emme në të ardhmen.
Përveç simbolizmit të fuqishëm, kjo është videoja e parë me regji të Lopez.
“[Emme] ishte kaq e mahnitshme, isha tepër krenare. Harrova që isha regjisore e videos sime të parë, ishte gjithçka për të. E gjitha për të,” tha ajo gati e përlotur në "The Tonight Show" me Jimmy Fallon, javën e kaluar.
Për Lopez, videoja u realizua për të ardhur në ndihmë të grave, sepse “kanë vlerë për diçka, janë të barabarta dhe pa limite.”
Në filmin “Second Act”, Jennifer luan rolin e Maya Vargas, një asistent-menaxhere e një dyqani, që s’kërkon asgjë më shumë në jetë përveçse një ngritjeje në detyrë me rastin e ditëlindjes së 43-të.
Pasi humbet punën, shoqja e saj (Leah Remini) krijon një CV false, që e ndihmon Maya-n të punësohet si drejtoreshë ekzekutive në një kompani në Mahnattan.
Edhe pse nuk ishte e kualifikuar mjaftueshëm, më në fund ia del të shkojë atje ku i takon: Nuk është kurrë vonë për një plan B!