2018-a zgjati sa një deakadë dhe në të tilla raste, është e thjeshtë të harrosh ç’ka ndodhur. Përgjatë këtyre ditëve, do të vini re shkrime të ngjashme me këtë, që përpiqen të përmbledhin 365 ditë në pak fjalë të përtypshme. Më poshtë, gjeni 10 momente të pazakonta e njëherazi të këndshme në televizionet shqiptare që na lanë mbresa përgjatë 2018-s. Renditja është kronologjike sepse kështu deshëm.
Janar
Rrengu që stafi i luajti Rudina Dembacajt, ku një folëse lajmesh shtiret sikur është e dashura e burrit të saj, bëri namin në janar. Tensioni në këtë video, dramaciteti, lajkat e folëses, shpalosja e ngjarjes, ironia e Rudinës. Ah, art!
Po në janar, Elton Ilirjani tha në bisedë e sipër se është gay. Kjo s’ishte hera e parë që deklaronte këtë fakt, por ishte pa dyshim më e bujshmja. Nga ai moment, Ilirjani u kthye në një figurë të zakontë në ekranet shqiptare.
Shkurt
Elvana Gjata dominoi shkurtin me publikimin e minialbumit “3”, shoqëruar me një koncert intim dhe një dokumentar. Koncerti, në të cilin u interpretuan këngët e realizuara në bashkëpunim me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrovin, mblodhi emrat më të famshëm të sportit e artit.
Ndërsa dokumentari, një risi në vend, tregoi prapaskenat e parapërgatitjes për lançimin e albumit dhe organizimin e koncertit. Shfaqi një anë tjetër të artistes, që nuk e dinim se duhej ta njihnim.
Marsi dhe prilli ishin muaj të avashtë në televizion.
Maj
Në maj, u përfol vetëm një emër: Eugent Bushpepa. Performanca e tij në Israel, dy netët e Eurovision, bëri krenar jo vetëm simpatizantët e tij, por gjithë shqiptarët. S’kishim qenë ndonjëherë aq optimistë për fitoren sa ishim për Eugentin. Entuziasmi na u shpërblye disi, pasi edhe pse nuk fituam, u renditëm të njëmbëdhjetët, që s’është aspak keq.
Qershor
Me gjithë modestinë, “Hostel by Anabel” ishte gjëja më e veçantë e qershorit (dhe e korrikut dhe gushtit). Formula e emisionit, krejtësisht origjinale, u kthye në te preferuarën e publikut shqipar. Hosteli arriti të kapë dhe të përpunojë atë që i mungonte shikuesit të ri, e kuptoi në thellësi ç’kontent kërkon i linduri i viteve ’90 apo ’00 dhe prandaj hasi kaq sukses. Jemi shumë krenarë për këtë produksion dhe ju falenderojmë për mbështetjen.
Korrik
Në korrik ndodhi ai tërmeti i tmerrshëm që qe pikënisja e gjithë të tjerëve. Tani, thuajse çdo ditë bie një tërmet, por s’na bën përshtypje më. Tërmeti i korrikut pati magnitudë 5 ballë dhe shkaktoi ca momente për t’u mbajtur mend në studiot televizive. Florian Agalliu u tregua i kujdesshëm gjatë momenteve të lëkundjes. Gjatë transmetimit të “Në shtëpinë tonë”, moderatori tërhoqi pas vetes edhe zonjën që po gatuante për të mos e lënë vetëm në një zonë që mund të përbënte rrezik.
Gushti dhe shtatori ishin muaj të avashtë në televizion
Tetor
“Ka qime! Qime! Ka qime në të brendshme!” bërtet Renato Mekolli. Ose më saktë, Gaz Paja në “Portokalli” që imiton Renato Mekollin në sfidën më të re të gatimit, “Hell’s Kitchen.” Gazi e ekzagjeron në mënyrë perfekte sjelljen tejet agresive të Mekollit në “Hell’s Kitchen” dhe natyrshëm, skeçi u bë viral. Momentalisht ka më shumë se 1 milion shikime në YouTube.
Nëntor
Në nëntor, një tjetër moment u bë viral. Pranvera Bokaj në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus nuk pushonte dot së qeshuri pas një lidhjeje të dështuar në Skype. Sa herë e shohim, na ngre humorin. E qeshura është ngjitëse dhe kjo video e vërteton.
Dhjetor
Mbrëmjen finale të “Këngës Magjike,” Ardit Gjebrea surprizoi publikun dyfish. Një herë me këngën që i dedikoi nënës së tij, e cila u nda nga jeta në gusht të këtij viti dhe së dyti, me praninë e Saimir Pirgut. Teksa po performonte “Kur them ajo,” në skenë shfaqet Pirgu që i bashkohet këngës. Ishte një përvojë prekëse e përlotëse pa dyshim.