Unë e di që ti ekziston, po kjo gjë s’mund të thuhet për mua. Ti mban mbiemrin e tij, keni një fëmijë bashkë, jetoni në të njëjtën shtëpi dhe dilni publikisht të dy. Unë di mendimet, ëndrrat dhe ndjenjat e tij; gjithë ç’mban përbrenda, por asgjë që i përket jetës eksternale.
Keni më shumë se 20 vite të martuar, që përmbledh disa aktivitete familjare dhe publike; shtëpinë në të cilën jetoni, fëmijën që doni me gjithë zemër. Por dashuria jote për të u shterua para goxha vitesh.
Ti je e lumtur me jetën që ndërtove për veten, por a është ai i lumtur në një martesë ku ti përmbush vetëm përgjegjësitë e tua si grua, por jo si grua e dashuruar?
A e do? Nëse do ta doje, a do të më kërkonte mua? S’të vë faj – ti ndalove së dashuruari. Por pse rri në një martesë pa dashuri për hir të imazhit?
I dhashë fund sot sepse u lodha duke mos ekzistuar. Ai nuk donte të lëndonte fëmijën e tij dhe tentuam vazhdimisht të ishim bashkë pa e kaluar atë cak. Më lëndoi ideja se mund t’i shkatërroja gjithë jetën. S’gjeta asnjë rrugë për të bërë përpara. As ai; s’e përballonte dot faktin se fëmija i tij mund të vuante – ndërsa vuajtja ime dhe e tija i dukeshin lehtësisht të përballueshme.
Pse nuk i jep dashurinë që kërkon? Pse nuk kujdesesh për të, pse nuk i qëndron pranë? Krijo një martesë që funksionon edhe në brendi, e jo thjesht për sy të botës. Fundja fare, në një moment duhet të keni qenë lumturisht të martuar. Si mund të jesh e lumtur me vogëlsira, e jo me substancë?
S’kam të drejtë të them asgjë, dhe di vetëm një anë të historisë. Por burri që njoh do të të kishte zgjedhur ty nëse do t’i jepje qoftë një grimcë të dashurisë që kërkon. Do të të zgjidhte ty sepse ndihet i lidhur nga detyra, por dije që është i uritur për dashuri romantike dhe kujdes.
Kur vdiq romanca brenda teje dhe pse? Nga ç’di prej burrit tënd, ai s’do të ishte larguar kurrë. S’është ai lloj njeriu. Edhe si e dashura e një burri të martuar, që s’mund të dilte publikisht e që s’kërkonte dot besnikëri, ai u përpoq me mish e me shpirt të më bënte të ndihesha e sigurt. Pse e le të ikte?
Shkruar nga një grua anonime për The Guardian