Reshjet e dëborës kanë përfshirë zona të veriut, verilindjes, juglindjes e madje edhe jugut të Shqipërisë.
Në Bulqizë raportohet për reshje të dendura bore dhe ngrica nëpër rrugë, ndërkohë që edhe në qarkun e Elbasanit bëhet me dijeni se ka probleme në qarkullim në zonat malore të Librazhdit e Prrenjasit, ku kalimi kryhet me zinxhirë; ashtu si edhe në Rrajcë, Stëblevë dhe Sopot.
Probleme raportohen edhe në Korçë. Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta kanë prekur të gjithë qarkun, teksa në Dardhë trashësia e dëborës ka mbërritur në 40 cm, ndërsa në zonat e tjera nga 15-20 cm borë. Në disa akse ka prani akulli në rrugë. Sipas informacioneve, në akset Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe në Qafën e Qarrit lëvizet vetëm me zinxhirë.
Edhe Gjirokastra është prekur nga reshjet e dëborës, që kanë zbritur deri në 300 m lartësi, duke mbuluar pjesën e sipërme të qytetit dhe zonën e Dropullit.
Në pikëkalimin e Kakavijës, fluksi në dalje është më i ulët nga sa pritej, për shkak edhe të bllokimeve nga dëbora në disa zona të Greqisë.
Reshje të dendura dëbore janë shënuar gjatë natës edhe në Llogora, ku trashësia e saj ka mbërritur deri në 20 cm.