Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar një amendament që synon të heqë termat “nënë” dhe “baba” nga regjistrat e shkollës së fëmijëve dhe dokumentet e tjera. Ky ndryshim kërkon që “nënë” dhe “baba” të zëvendësohen me “prindi 1” dhe “prindi 2”, si një formë për të shmangur diskriminimin ndaj martesave homoseksuale.
Në amendament thuhet: “Për të parandaluar diskriminimin, regjistrat në shkollë, regjistrat e klasave, autorizimet prindërore dhe të gjitha fromat e tjera zyrtare duhet të përmendin vetëm prindin 1 dhe 2.”
Amendamenti u mbështet fort nga partia social-liberale La République En Marche (Republika në lëvizje), e themeluar nga Emmanuel Macron. Megjithatë disa deputetë konservatorë francezë nuk pajtohen me këtë vendim. Zëvendës sekretari i përgjithshëm i Partisë Republikane, Fabien Di Filippo, e përshkroi amendamentin si një “ideologji të frikshme”. Të tjerë deputetë të djathtë u pajtuan me idenë se heqja e fjalëve “nënë” dhe “baba” është “dehumanizuese”.
Ndjekës të shumtë në Twitter ngritën problemin se si do të bëhet ndarja, pra kush do të jetë prindi 1 dhe prindi 2.
Për herë të parë, një amendament i tillë, që ende mund të refuzohet nga Senati francez, u përmend nga zyrtarët e qeverisë në vitin 2013, kur u legalizua martesa brenda të njëjtit seks.