Në nëntor të 2018-ës u diskutua gjatë në lidhje me gjestin partiotik që shqiptarët, të njohur e të panjohur bëjnë kudo nëpër botë; simbolin e shqiponjës me duar.
Kush ishte artistja e parë që e solli? Fillimisht u tha se ishte Edona Llalloshi, e porositur me fanatizëm nga babai i saj.
“E them publikisht që kjo ka qenë ideja e babait tim. Unë isha garuese, ndër më të mirat në Festivalin e Këngës, në vitin 1994. Në atë kohë ishim të etur për Shqipërinë. Babi më tha, ‘kur të dalësh të këndosh, nxirri duart kështu dhe trego dashurinë që kemi ne për Shqipërinë për flamurin kombëtar’. Nuk e kemi marrë prej askujt dhe pastaj filloi të përhapej.”- tregoi ajo e ftuar në Tour de Cool.
Epo nëse menduam se edhe kjo çështje u zgjidh, Yllka Kuqi ngre një diskutim të ri. Pak orë më parë, ajo postoi në llogarinë e saj të Instagram-it këtë foto.
“Babi im, shqiponjën e kishte simbol përshëndetës në çdo performancë të tij qysh para viteve ’90-të, në kohën kur ishte shumë e vështirë të flitej shqip. Edhe pse për këtë gjest është dënuar shumë herë nga regjimi serb, ai s’hoqi dorë kurrë nga shqipja. Krenar për ty babi! Zeqë Kuqi, Gjilan, 1993”- shkruan Yllka në foton ku shfaqet i ati teksa bën shqiponjën me duar.
Pra si përfundim?! Nëse nisemi nga vitet, Llalloshi tha se ka qenë e para në 1994-ën, ndërsa Yllka pretendon se ishte babai i saj i pari që shpiku këtë simbol dhe foto më sipër është bërë në 1993-in, gjë që vërtëton se është ai që fshihet pas simbolit të famshëm.