Më herët gjatë ditës së sotme, është bërë e ditur se Prokuroria e Korçës ka lëshuar një mandat arresti me burg për 25-vjeçaren Kejsi Spahillari, nën akuzën e vrasjes së të dashurit të saj, Antonio Karafilit, 7 vite më parë.
Kur ngjarja e rëndë ndodhi, vdekja e Antonio Karafilit u regjistrua si vetëvrasje, prej rrethanave në të cilat autoritetet gjetën të ndjerin: të varur me çarçaf në pemë, në fshatin e Voskopojës. E vërteta e zbuluar tregon se në fakt kjo ishte një vrasje e inskenuar nga Kejsi Spahillari, asokohe 18 vjeç, dhe Rexhep Vathi, që mendohet se ishte i dashuri i saj paralel. Ky i fundit, i ka dhënë fund jetës së tij vitin e kaluar.
Në një intervistë për Euronews Albania, nëna e Kejsi Spahillarit, shfaqet e ngarkuar teksa mohon akuzat që rëndojnë mbi të bijën e saj:
"Asnjë gjë nuk është e vërtetë. Çdo gjë është një sajesë, çdo gjë është e shtirur dhe e stisur e tëra. Ka qenë komplet ndryshe historia që në fillim."
Ajo gjithashtu mohoi kategorikisht se mund ta njihte Rexhep Vathin, personi me të cilin mendohet se Kejsi Spahillari kishte krijuar një lidhje paralele. Për të dhënat biologjike të tij dhe Kejsit që u gjendën në çarçafin me të cilin ishte varur Antonio Karafili, që është vlerësuar si provë e vrasjes, ajo u shpreh:
"Normal që do gjenden [të dhëna biologjike] sepse Kejsi ishte ajo që kur e gjeti [Antonio Karafilin] bashkë me të ëmën [e tij], e kanë mbajtur dhe e kanë prerë çarçafin. Edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin në momentin që e kanë sjellë djalin në shtëpi. Ne e dinim si familje si histori, nuk kishte arsye pse të ndodhte kjo, apo Kejsi ta bënte këtë gjë."
Historia e vërtetë sipas mamasë së Kejsit, e cila tha se i ishte treguar prej vetë së bijës, qëndronte e tillë:
"Ata ishin në Korçë, kishin pasur një grindje. Kishin shkuar në Voskopojë, kishin dashur të ktheheshin, ai nuk kishte dashur pas grindjes. Kejsi kishte marrë të ëmën dhe të vëllain [e Antonio Karafilit] dhe kur vajtën [sërish në Voskopojë] e kishin gjetur [të varur]. Atë natë që Kejsi mua më mori në telefon duke ulëritur, nuk thanë që e kishin gjetur të shtrirë, siç ata pretendojnë [tek akuza e tanishme]. Vetë e ëma tha që 'e ngritëm peshë, që premë çarçafin', jo që e gjetëm në këmbë, në tokë."
Mamaja e Kejsit mbylli deklaratën e saj me kërkesën për drejtësi, duke u shprehur se kjo që po i bëjnë së bijës "është vërtet mëkat, të bësh vrasës një person që nuk është".
Kejsi Spahillari, jeton prej disa vitesh në Kanada, ku thuhet se ka krijuar dhe familjen e saj.
Artikuj të sugjeruar: