Ndonëse i dhanë fund marrëdhënies disa herë brenda 2 dekadave, ylli i “Spice Girls” Emma Bunton dhe partneri i saj Jade Jones kanë vendosur të kurorëzojnë në martesë historinë e tyre të dashurisë.
Sipas gazetës Sunday Mirror, çifti u pa në Enfield Register Office në Londër ku njoftuan mbi dëshirën për t’u martuar.
Vite më parë, këngëtarja u shpreh se “nuk do një dasmë civile ose fetare, sepse nuk ka nevojë për një martesë për të justifikuar marrëdhënien e saj”, por gjërat ndryshuan më vonë. Emma dhe Jade u fejuan në janar të vitit 2011 dhe në 2017-n ylli i “Wannabe” pohoi se do të ishte mirë që të martoheshin, por nuk kanë qenë mjaftueshëm të organizuar për të planifikuar një dasmë të madhe.
“Do të ishte bukur, apo jo. Duhet ta bëjmë. Ai në fakt më quan bashkëshorte dhe unë atë gjithashtu.”
Në vijim shtoi:
“Nuk e kam ende në kokë fustanin e dasmës. E di që shumë vajza e dinë se çfarë duan, por unë jo.”
Historia e tyre nisi rreth vitit 1998, por përfundoi një vit më vonë. Në vitin 2000 u rikthyen sërish bashkë, por u ndanë në mars të 2002-shit. Dy vite më pas u ribashkuan për të mos u ndarë më. Bunton dhe Jones janë prindër të dy djemve, 11 dhe 7 vjeç.