Shendeti i Gruas

Modelja: 'Nuk e dija që kisha depresion pas lindjes, derisa ma thanë shoqet'

Shkruar nga Anabel

4 Maj 2019

Modelja: 'Nuk e dija që kisha depresion pas lindjes, derisa ma

Pasi solli në jetë vajzën Luna në 2016-n, Chrissy Teigen shkroi një ese për “Glamour”, ku pranoi për herë të parë se ka vuajtur nga depresioni i paslindjes. Teksa fliste së fundmi në talk-show amerikan “Today”, Chrissy përshkroi momentin kur kuptoi se po përjetonte më shumë se thjesht “trishtim”. “Nuk mendoja se duhet të ndihesha ndryshe. Mendoja se ishte normale të ndihesha në atë mënyrë. Ja vija fajin ndjesisë së mëmësisë.”

Në vijim modelja shton se ishin shoqet e saj ato që luajtën një rol të rëndësishëm për të kuptuar simptomat e depresionit postpartum, i njohur si depresioni pas lindjes (PPD). Chrissy u shpreh, “Mendoja që isha vetëm paska e mërzitur, derisa njerëzit përreth meje filluan të vinin re ndryshime në personalitetin tim – kjo gjë më ndihmoi shumë. Nisa të ndryshoja.”

Aktorja, e cila tashmë është nënë edhe e vogëlushit Miles, u shpreh se ndihej më shumë se e lodhur, “isha shumë, shumë, shumë e trishtuar, e trajtoja keq veten.”

Modelja: 'Nuk e dija që kisha depresion pas lindjes, derisa ma

Në esenë për “Glamour” në vitin 2017, Chrissy shpjegoi se me t’u kthyer në shtëpi, që asokohe ishte një banesë e përkohshme sa të ndërtohej shtëpia që kishin blerë, së bashku me bashkëshortin John Legend, filloi të ndjente paqëndrueshmëri. Trishtimin dhe shkëputjen emocionale ajo i shpjegonte me faktin se nuk ishte në rrethana të pazakonta. I thoshte vetes se pasi të shpërnguleshin në shtëpinë e re, do të kalonte e gjitha. Nuk e kuptonte çfarë kishte dhe nuk e fliste me askënd. Nëse nuk kishte ndonjë xhirim, as që dilte nga shtëpia. Nëse më parë hynte në një dhomë plot vetëbesim, tani ishte kthyer në një njeri që varte kokën kudo ku shkonte. Nuk kishte më energji, jetë shoqërore, as me John-in nuk shkonte më askund.

Letra e saj publike në atë kohë ishte një mënyrë për të promovuar të folurin hapur në lidhje me një çrregullim që e vuajnë shumë gra në botë, ndonëse nuk kanë informacionin e duhur.

Në vijim gjeni një informacion përmbledhës mbi depresionin e paslindjes tek gratë, POR edhe burrat.

~Depresioni postpartum te gratë: 4 shenja që duhen njohur~

Të marrësh një vendim duket diçka terrorizuese
Nënat e prekura nga depresioni pas lindjes kanë gjatë gjithë kohës ndjesinë se vendimet e tyre lidhur me fëmijën mund ta dëmtojnë atë. Ato janë të terrorizuara nga marrja e vendimeve dhe mendojnë se nuk po bëjnë një punë të mirë.

Nuk fle as kur fle fëmija
Pjesa më e madhe e nënave të reja nuk flenë gjumë sa duhet në muajt e parë pas lindjes. Por, në rastin e depresionit pas lindjes, nënat shpesh nuk flenë as kur foshnja fle dhe mungesa e gjumit sjell probleme të reja.

Ndihesh e trishtuar dhe e stresuar gjatë gjithë kohës 
Ekspertët shprehen se është normale që në javët e parë pas lindjes, nëna të ndihet disi e mërzitur, të qajë apo të ndihet e stresuar. Por, nëse kjo gjendje vijon për një kohë më të gjatë, do të thotë se mund të keni të bëni me depresion pas lindes.

Mendoni se mund të lëndoni veten ose fëmijën 
Edhe nëse nuk keni kurrë ndërmend të bëni një gjë të tillë, por këto mendime ju kalojnë nëpër kokë, është shenjë se duhet të flisni me një mjek. Sigurisht që mund të keni turp të flisni me dikë tjetër për këto mendime, por ndihma e menjëhershme është një domosdoshmëri, si për ju, ashtu edhe për fëmijën dhe familjen tuaj.

~Depresioni postpartum te burrat~

Fakti që burrat nuk përjetojnë aq shumë ndryshime fiziologjike pas lindjes së fëmijës, nuk do të thotë se nuk preken nga depresioni i paslindjes.

Krejt e kundërta: depresioni i baballarëve të rinj është një problem ekzistues dhe në botë ka shumë raste të tilla. Viteve të fundit, rastet e burrave që vuajnë depresionin pasi bëhen prindër janë shtuar me 68%.

Të bëhesh me fëmijë sjell ndryshime rrënjësore në stilin e jetesës, edhe nëse lindjen nuk e ke bërë ti. Tek gratë, nivelet e luhatshme hormonale dhe ndryshimet neurokimike që ndodhin në tru ndikojnë në një masë të madhe. Por në fakt, një studim i “American Journal of Human Biology” (Revista Amerikane e Biologjisë së Njeriut) ka treguar se edhe burrat përjetojnë çrregullime hormonale pas lindjes së një fëmije. Ulja e nivelit të testosteronit mund të shtojë rrezikun e depresionit dhe ankthit.

Shtoji kësaj pasoja të tjera si stresi kronik, ushqyerja e parregullt dhe mungesa e gjumit, edhe ata i kanë të gjitha gjasat të kalojnë një episod depresioni, që në pakujdesi mund edhe të shndërrohet në depresion kronik.

Por nuk janë vetëm ndryshimet hormonale ato që luajnë rol tek depresioni pas lindjes i burrave. Një prej faktorëve është edhe ndjesia e shkëputjes nga nëna dhe fëmija, pasi në shumë raste babai lihet jashtë proceseve kryesore të rritjes së bebes. Është tejet e rëndësishme që babait t’i jepet mundësia të krijojë lidhje me fëmijën dhe të ndihet i dobishëm në përkujdesjen për të.

Mbi të gjitha, presioni i kulturës karshi prindit mund ta bëjë këdo të ndihet i paaftë. Pritshmëritë e larta ndaj mamasë dhe babait, që të kujdesen për fëmijën në një mënyrë të caktuar, janë zakonisht shumë larg realitetit të një jete pa gjumë, me kequshqyerje dhe hutim, ku prindërit e kanë tepër të vështirë të bëjnë çdo gjë në përsosmëri, me gjithë ngarkesën që vjen befas në jetën e tyre.