Dje, në faqen e Revistës Anabel në Facebook, lexuesit tanë ishin të lirë të na shkruanin për ç’të donin. Gruaja e mëposhtme, që preferoi të mbetej anonime, rrëfeu një histori tejet të dhimbshme nga jeta e saj. Pasi mbeti shtatzënë me dy djem binjakë, fatkeqësisht dhe papritur, mori vesh se zemrat e foshnjeve kishin pushuar.
“Të dashur djemtë e mi që ikët pa ju njohur,
Ditën që mora vesh se në trupin tim po rritej një krijesë, ishte dita më bukur e jetës sime. E akoma më e bukur ishte dita kur bëra ekon për të parë gjininë tënde dhe kuptuam që nuk ishe një, por dy.
Nuk e di pse, por unë dhe babai yt mendonim se ishe vajzë dhe çdo gjë e kishim blerë rozë. Qeshëm aq shumë kur mjeku na tha që në barkun tim janë dy binjakë, por të dy djem. Qeshëm dhe u përlotëm nga dashuria e madhe që kishim për ju. Babai juaj më puthte barkun çdo ditë. Ju adhuronte aq shumë, sa hera herës, mërzitej me mua që nuk kisha neps të haja gjëra të çuditshme. Sipas tij, duhet të haja mirë, që ju të ishit mirë. Ishte çdo gjë kaq e bukur dhe kaq ndjesi qetësuese kur babai juaj betohej që do bëhej copë që ju të ishit fëmijët më të lumtur në botë.
Por, në kontrollin rutinë zbuluam se zemrat tuaja kishin ndalur. Nuk e di pse në muajin kur ne edhe pak prisnim t’ju mbanim në krah, zemrat tuaja ndaluan. Më latë një dhimbje të madhe. Një boshllëk që askush s’e mbush dot.
Nga dashuria që babai juaj kishte për ju, më akuzoi se s’jam kujdesur mjaftueshëm për veten dhe për ju dhe ja ku jemi sot... të ndarë dhe secili në jetën e tij. Ndoshta kështu e pati më të lehtë ai ta kalonte dhimbjen, duke më fajësuar mua. Ndoshta duhet të rrija shtrirë nëntë muaj pa bërë asgjë. Mbase kishte të drejtë, por s’ka gjë.
Atij i dua më të mirën dhe i uroj të bëhet baba me gruan tjetër. Baba i binjakëve, ashtu si donte. Ndërsa ju bijtë e mi, dua t’ju them që më bëtë të përjetoja ndjesinë më të bukur, atë të të ndjerit dy engjëj të lëvizin në trupin tim. Unë do t’ju lë të shkoni, sepse ndryshe e di që do të jetoj e izoluar në botën e dhimbjes. Por më besoni, jeni gjithmonë pjesë e shpirtit tim. Më falni që s’ju pashë dot.” – Anonime
Nxitur nga historia e mësipërme, një tjetër grua tregoi historinë e saj. Edhe ajo mbeti shtatzënë me dy djem binjakë, edhe ajo pësoi abort, por jo spontan. Lori i humbi djemtë e saj si pasojë e dhunës që bashkëshorti ushtroi mbi të.
“Lexova pak më parë historinë e një nëne që kishte humbur binjakët e saj dhe u preka pasi më erdhën ndërmend shumë kujtime të miat gjithashtu. Doja të shkruaja se ndoshta ajo femër gjen sadopak forcë e kurajo të eci përpara.
Dikur dhe unë përjetova pak a shumë të njejtën ngjarje. Por, ndryshe nga nëna në fjalë, unë jetova tre vjet me një njeri që përveçse dhunës psikologjike, së fundmi filloi edhe dhunën fizike. Madje, edhe kur dilnim ngamonte femra të tjera në syrin tim e justifikohej sikur thjesht po bënte shaka.
Më lutej për një fëmijë se në mendjen e tij, gjërat do të ndryshonin po të kishim fëmijë. Unë nuk pranoja, e shpesh i thoja se ai nuk ishte në gjende të mbante përgjegjësi për veten e jo më për një fëmijë. Pas një periudhe filloi dhe nëna e vet duke më akuzuar se unë nuk mundem t’i jap një fëmijë bashkëshortit tim. Ndërkohë që nga dhuna psikologjike që ushtronte çdo ditë, nga një njeri me vetëbesim të lartë, arrita të mendoja se mos unë ndoshta isha e vetmja fajtore në atë marrëdhënie. Të paktën kështu më bënte të ndihesha ai, kur më ulte, kur më përbuzte, kur s’i pëlqente asnjë mendim i imi, asnjë veshje, asnjë gatim, asgjë që bëhej nga unë kundrejt tij me dashuri.
Derisa, një ditë i dhashë lajmin se do të bëhej baba. Pra, ishte diçka që ai me muaj kishte këmbëngulur dhe duhej të ishte mjaft i lumtur. Në fakt ndodhi e kundërta, ai njeri nuk e dinte çfarë donte. Nëse donte alkoolin, drogë, fjalët e farefisit apo familjen që në thonjëza po krijonte. Kur i donte qejfi dhe s’kishte ardhur në shtëpi me ditë të tëra, kthehej me dhurata e lule në duar. Ndërkohë, që unë i thoja që e gjithë e jona ishte gabim, se unë tashmë s’kisha më lumturi dhe se do të kërkoja ndihmë nga një psikolog. Më premtonte çdo javë se do të ndryshonte dhe se do të më përkushtohej mua dhe fëmijëve tanë. Fjalë boshe. Ditën tjetër më kthehej kundra, më bërtiste kur rrija shtrirë: 'Ti je gjithmonë sëmurë, nuk di të bësh asgjë,' edhe pse në shtëpi e gjente gjithçka gati. 'Mos ha shumë se do shëndoshesh' e plot fjalë të tjera. Shpesh, më duhej të bëja punë të rënda, por kujt i interesonte. Atij jo të paktën.
Një mbrëmje më dhunoi e më tha që kur të lindësh, do të t’i marr fëmijët. Nuk ishte hera e parë që më prekte, por u betova se do të ishte hera e fundit që e lejoja. Sa lotë u thanë nëpër rrugët e qytetit që më përvëlonin dhe pyesja Zotin pse mua të gjitha këto, pse mua kur s’i kam bërë keq asnjë mize. Më dukej sikur s’më dëgjonte askush. Familja më thoshte 'ndahu, eja në shtëpi, nuk është jetë ajo.' Por ai vinte e qante si fëmijë, lutej e unë kthehesha përsëri e përsëri dëgjoja poshtërime dhe bija shumë poshtë psikologjikisht.
Mendoja, si ka mundësi që duart që dikur më përqafonin, tani linin shenja në trupin tim. Ditën pasi më dhunoi isha vetëm, e ndihesha keq. M’u përgjigj në telefon se po del me shokët për të festuar e unë shumë mirë mund të shkoja e vetme në spital duke qenë se jetonim vetëm dy minuta larg. (Miqtë ishin justifikimi i tij që të mblidheshin nëpër vende e të frekuentonte femra të tjera, pasi kisha lexuar mesazhe në celularin e tij, por justifikohej se ishin të dashurat e shokëve se ata s’kishin pasur bateri. Përralla të gjitha. 'Mos i bën vetë ato gjëra,' ishin fjalët e tij.)
Shkoj gati e vdekur në spital dhe aty marr vesh se zemrat e vogla kishin pushuar. Sa lot kam derdhur, thoja është ëndërr. Erdhi dhe qau dhe ai. mendova se vërtet u prek e më betohej si gjithmonë se do të ndryshonte e do të kishim fëmijë të tjerë më vonë e unë si një idiote e verbër me zemër të lënduar, e besova. E besova sërish. Mendoja se dhe atij i dhimbte shpirti po aq sa mua që ndihesha bosh tashmë pa krijesat e mia brenda meje.
Pa kaluar as 24 orë, në pije e sipër më thotë se bebat bënë mirë që ikën sepse unë s’do të isha një nënë e denjë, unë s’isha kujdesur mjaftueshëm për ta e nuk do e bëja kurrë. Një gjë kuptova nga ai njeri, që kur njerëzit janë ngushtë e në faj vetë, mundohen të të ulin ta sa më shumë që të të ndrydhin psikologjikisht aq sa të mos kesh forcë t’i kundërshtosh. E këta njerëz kanë nevojë për ndihmë profesionale, por normalisht nuk e pranojnë asnjëherë se u duket vetja në rregull.
Me mbështetjen e familjes, arrita të ngre zërin tim e t’i them çdo gjëje stop. Megjithëse e di që ka femra kudo që ndrydhen brenda vetes nga këta palo meshkuj, që mendojnë se bota drejtohet vetëm nga organet e tyre e nuk kanë ku të mbështeten. Por femra është e fortë e uroj që asnjë femër në botë të mos mbajë ndër dhëmbë zërin e saj, por ta ngrejë sa herë i bëhet një padrejtësi. Uroj që prindërit shqiptarë të mbështesin më shumë vajzat e t’i edukojnë djemtë me frymën e dashurisë dhe jo të dhunës.
Sot besoj në Zot, kam sërish dy krijesa brenda meje, por kësaj radhe me një bashkëshort mbështetës, motivues që është krenar që më ka pranë. Një njeri që Zoti e ka dërguar në tokë për të më bërë mua të lumtur. Çdo mëngjes falenderoj Zotin e sa herë që largohemi të dy në punë, lutem ta mbrojë e të jetë përgjithmonë me mua.” – Lori.