Bota

Aty ku aborti s’është i ligjshëm, as në rast përdhunimi, as në rast incesti

Shkruar nga Anabel

16 Maj 2019

Aty ku aborti s’është i ligjshëm, as në rast

Nga titulli s’jua merr mendja se bëhet fjalë për një shtet në Amerikë, apo jo? Natyrshëm, askush s’e pret që në shtetin më të zhvilluar në botë të dhunohen kaq haptazi të drejtat e grave.

Të martën, 25 burra republikanë miratuan projektligjin që ndalon abortin në Alabama. Senati e aprovoi projektligjin javën e kaluar dhe dje u firmos nga guvernatorja e shtetit, Kay Ivey. Zyrtarisht, projektligji është ligj dhe aborti pritet të ndalohet së shpejti.

Nuk përbëjnë përjashtim rastet e përdhunimit apo incestit

Të vetmet raste ku aborti është i ligjshëm në Alabama janë nëse jeta e pacientes është në rrezik ose nëse fetusi vuan nga anormalitete të papajtueshme me jetën. Nuk përfshihen rastet e përdhunimit apo incestit. Pra, le të supozojmë se një vajzë 13-vjeçare përdhunohet nga një familjar i saji dhe ngel shtatzënë. Sipas ligjit të miratuar, ajo duhet ta lindë medoemos fëmijën.

Ndëshkimi është i rëndë për mjekët që performojnë aborte

Mjekët që performojnë aborte mund të dënohen deri në 99 vite heqje lirie. Mjekët që tentojnë të performojnë një abort mund të dënohen me 10 vite. Pacientët që abortojnë nuk dënohen, sipas projektligjit.

Kur hyn në fuqi

Duke marrë parasysh se aborti është i ligjshëm në gjithë Amerikën, me urdhër të Gjykatës Supreme, ligji në fjalë bie ndesh me vendimin e marrë në vitin 1973. Si pasojë, ACLU (American Civil Liberties Union) do të hedhë në gjyq shtetin e Alabamës mbi ligjin që ndal abortin sepse s’është konstitucional. Ka ende shpresë.