Letra e ditës

Historitë tuaja: ‘Do e falësh ndonjëherë veten? A do të jesh e zonja të më shohësh në sy?’

Shkruar nga Anabel

25 Maj 2019

Historitë tuaja: ‘Do e falësh ndonjëherë veten? A do

Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.

Historitë tuaja: ‘Do e falësh ndonjëherë veten? A do

“Si duhet të ndihemi kur ecim në rrugë para dikujt që jo më larg se dje ndamë çdo gjë tonën, ndërsa sot nuk e shohim as në sy?

Kaq e lehtë është të harrosh shumë vite të jetuara bashkë me njëri-tjetrin, në të mirë e në të keq? Kaq të thjeshtë e kanë njerëzit të të vënë një vizë edhe të dalin jashtë e të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë?

A thua vallë një ndërrim rruge apo një palë syze munden të të harrojnë çdo sakrificë që u bë për të mbajtur gjallë një dashuri? Pse duhet të jetë kaq e vështirë që dikujt t’ia thuash gjëra në sy, pa nxjerrë mijëra justifikime të kota që s’të bëjnë të kuptosh asgjë?

Kaq të vështirë e keni t’i shtrëngoni dorën dikujt që ju ka dhuruar veç të mira e dashuri, e ka lënë t’i kalojnë sipër pafund trena, vetëm për ju?

Kaq e vështirë është t’i buzëqeshësh dikujt që para disa muajsh i merrnit frymën duke e përqafuar?

Si mundeni të bëni të vdekur një të gjallë, që të vetmin qëllim në jetë kishte të luftonte çdo gjë në jetë, vetëm që ju të ishin e lumtur?

Jam dakord, dashuria edhe mund të përfundojë. Në një botë që ecën me 300km/h dhe në një shoqëri ku të mirat materiale munden të të rrëmbejnë, nuk është e lehtë të dashurosh dikë që për momentin është në udhëkryq dhe nuk ka asgjë të sigurt, përveçse punës së madhe dhe dëshirës për të të ofruar ato që ti ëndërron.

E kuptoj shumë mirë që njerëzit lodhen, e bëjnë në heshtje dhe nuk kanë guxim që të shohin në sy në momentin që dashuria e tyre ka vdekur pak e nga pak. Dashuria mund të vdesë dhe pritja mund të të lodhë. Përpara se gjërat të fillojnë të vdesin brenda jush, flisni. Thuajini gjërat në sy, ashtu siç janë, ndihmojini të tjerët të kuptojnë se çfarë nuk shkon, bisedoni sesi mund të rregullohen gjërat, përpara se të vendosni vizat.

Sot, të gjithë e kanë më lehtë të heqin dorë sesa të merren vesh e të përmirësojnë njëri-tjetrin. E nëse dashuria juaj për dikë vdes, nuk do të thotë që duhet të vdesë dhe personi që donit. Mund të fshiheni shumë herë, mund të ndërroni shumë rrugë, mund edhe t’i bllokoni çdo mënyrë komunikimi dikujt. Mund të bëni çdo gjë, por në fund të ditës, gënjeshtrat do t’ju përndjekin më shumë.

Respektojeni dikë edhe nëse nuk e doni më, dikë me të cilin keni ndarë shumë kujtime. Në këtë mënyrë keni respektuar veten. Thoni gjithmonë të vërtetën, sado që ajo e vërtetë t’ju ketë nxjerrë ju të këqij.

Unë të kam falur për zgjedhjen tënde. Jo të gjithë kanë forcë të luftojnë bashkë për të krijuar një të ardhme. Nëse ti zgjodhe të jesh e lumtur me dikë tjetër, nuk është faji yt. Po ti do e falësh veten ndonjëherë? Do jesh e zonja të më shohësh në sy apo do të vazhdosh të ndryshosh rrugë?“ - shkruar nga një djalë anonim për Revista Anabel, Facebook.