Letra e ditës

Një letër për shoqen e fëmijërisë, dashurisë sime të parë dhe të përjetshme

Shkruar nga Anabel

26 Maj 2019

Një letër për shoqen e fëmijërisë, dashurisë

"Dikur, ishe gjithçka që kisha. E zgjuar, komike, e bukur, e talentuar, gjaknxehtë dhe kokëfortë, bujare dhe mbaje gjithnjë anën e më të dobëtit. Ishe njeriu i parë që më bëre të ndihem e rëndësishme. Më kuptoje. Ishe shoqja ime e ngushtë.

A më vë dot faj që shpresoja të ishim bashkë përgjithmonë? Kur ishim të vogla, ishim gisht e thua, të pandashme. Mësuesit na ngatërronin emrat, edhe pse s’ngjanim fare me njëra-tjetrën. A ishte vërtet naivitet nga ana ime të mos mendoja jetë tjetër për ne?

Kur mbusha 14 vjeçe, kuptova se të dashuroja. Për vite me radhë, i thoja vetes gjithë gjërat që thonë rëndom adoleshentët gay – që është thjesht një fazë, një pëlqim që do të kalojë me kohën. Nuk kaloi. Kur mbusha 17 vjeçe, e dija pa dyshim që ti nuk ndjeje, dhe nuk do të ndjeje kurrë, të njëjtën gjë për mua.

Në fillim të njëzetave fillova të kuptoj se ndjenjat e mia të pashprehura dhe të pakthyera po shkatërronin dalëngadalë shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht, do të më shkatërronin jetën nëse do t’i lejoja.

Të largohesha nga ti ishte gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë. S’ia kisha idenë si të jetoja pa ty. Ndoshta ti nuk e kuptove pse mori fund shoqëria jonë, ndoshta ishte një vendim i përbashkët. Ndoshta edhe ti e dije që kjo shoqëri nuk mund të vazhdonte si më parë.

Mund të pyesësh veten pse s’t’i shpreha kurrë ndjenjat e mia, por zgjodha të largohem ngadalë e me dhimbje nga ti. Besoj se kisha turp. Besoj se kisha frikë. Por mbi të gjitha, më vinte inat që s’isha një njeri më i mirë, më i fortë për ty; që e preva në besë shoqërinë tonë. Kemi pesë vite që nuk flasim. Vras mendjen pas sa kohësh do ndalosh së më dali në ëndrra?

Tani jetoj mirë – kam miq, një punë që më pëlqen, një të dashur – jam shumë e lumtur, por sërish,ndonjëherë, dëshiroj që gjërat të kishin shkuar ndryshe. Do të doja të ishim rritur bashkë, siç e planifikuam. Por në fund të fundit, asnjëra nga ne s’mund të ishte për çfarë kishte nevojë tjetra. Të dyja meritonim më mirë se aq.

Shpresoj të jesh po kaq e lumtur sa unë. Dhe mbi të gjitha, shpresoj të mos mendosh për mua, kurrë."

Shkruar nga një grua anonime për The Guardian.