Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.
“Mamaja ime ka ushtruar dhunë ndaj meje që sa kam filluar të mbaj mend e deri në gjimnaz. Një njeri i egër, i ftohtë që vetëm nënës nuk i ngjante. Vraponte të më kapte dhe nëse nuk kishte shkop, më gjuante me shkelma, grushte e çfarë t’i kapte dora.
Mbaj mend njëherë kur u kthye nga e ëma dhe unë nuk kisha bërë gjellën, më ka gjuajtur me shkelm në vend të keq sa nuk mundesha dot me frymë. Im atë kurrë nuk më ka dalë në krahë, më dëgjonte kur i tregoja e nuk fliste. Nuk e kuptova kurrë.
Ndërkohë ime më me fëmijët e botës sillej ëmbël, madje edhe i puthte. Çuditërisht mbaj mend çdo rrahje, por nuk mbaj mend kurrë të më ketë thënë ndonjëherë "të dua", "të keqen mami", "të kam zemër". Kurrë!
Ushtronte edhe dhunë psikologjike; më mbushte mendjen se isha njeri i neveritshëm me sjelljen time sepse po të kundërshtoje mamanë e tillë ishe. Ndërkohë që nuk kam bërë asnjë budallallëk në jetën time, përkundrazi jashtë shtëpisë kam qenë nxënëse me mesatare 9.6 dhe në lagje më shihnin si goca që mësonte shumë.
Kushedi sa herë kam mbushur dorën me plehra kimike për t’i ngrënë. Por nuk pata guxim.
Kur u largova në universitet gjërat u qetësuan mes nesh. Tani që jam e martuar me fëmijë, nuk po arrij t’i heq nga mendja ato që kam kaluar në fëmijëri. Është mendimi i fundit kur fle dhe i pari kur zgjohem. Nuk them urrejtje, por jam e mbushur me mllef, me inat.
Ajo tani mërzitet pse nuk e telefonoj çdo ditë, e më thotë “shpirt, zemër”, aq sa ndjej neveri, nuk dua ta dëgjoj. Do të doja t’ia përplasja në fytyrë, t’i kujtoja çdo rrahje, çdo detaj, çdo fjalë; ta dinte se nuk kam harruar asgjë. Do të doja të flisja me ndonjë psikolog, ta lija të shkuarën pas, të harroja e të falja, por nuk mundem.
Kam frikë se do të vdesë ende pa e falur dhe do të më ngelet peng.” – shkruar nga një grua anonime për Revista Anabel, Facebook.
Tjetër histori: "Do e falësh ndonjëherë veten? A do të jesh e zonja të më shohësh në sy?"