Letra e ditës

Historitë tuaja: ‘M’u kujtove ti në përqafimin e dikujt tjetër’

Shkruar nga Anabel

28 Maj 2019

Historitë tuaja: ‘M’u kujtove ti në përqafimin e

Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.

Historitë tuaja: ‘M’u kujtove ti në përqafimin e

"Dua të dish që unë jam lutur për ty. Jam lutur për veten. Për ne. Po, po! Nuk ta kam thënë, por të betohem që jam lutur. Jam lutur që ti të jesh larg meje. Ke të drejtë të çuditesh. E kam fjalën akomë më larg se ato mijëra milje. Ti e di që për mua nuk ka rëndësi largësia. Kurrë nuk ka pasur! Edhe pse ajo gjithmonë ka qenë në marrëdhënien tonë, përlyer me ndjenjën. Dhe unë këtë s’e kam dashur kurrë. Gati-gati të kam urryer për këtë. Padashur, të betohem. Se nuk doja t’i jepja rëndësi, se mendoja se peshën do ta kishte ndjenja. Se ajo do të na mbante afër. Se ti e di që unë mendoj se sado larg të jenë, njerëzit mbahen në zemër. Se ty të kisha në zemër. Aty ngjitur me shpirtin. Po ç’dreqin ishte largësia pra?

Kam frikë se ajo ishim “ne”. Se ajo u bëmë “ne”. Ne të dy, që nuk ditëm të ishim pak më shumë “ne”. Ose më mirë, të rrinim “’dy”. Ose ndoshta ne ditëm, por nuk na la ajo. Ti më tradhtove me të. Ti le që ajo të na ndante. Ti pate frikë. E kuptoj tani pse gati-gati e kam urryer. Atë, sepse ty nuk munda. Nuk munda të të urrej. Nuk doja. Nuk duhet të urrehet dashuria. Ahh po...po të thoja që jam lutur.

Po, çdo moment, ço ditë, çdo natë. Jam lutur në mëngjes, që një ditë të mos kujtohesha për mesazhet e tua të mëngjesit, që unë mezi  prisja e ti ndoshta nuk iu jepje rëndësinë e duhur. I harrove. Jam lutur kur dilja nga shtëpia dhe shkoja drejt stacionit që të mos të dëgjoja emrin tënd. As gjatë rrugës, as në autobus. Askund. Dreqin! Do të ishte gjithmnë dikush që do përmendte emrin tënd gjatë një bisede mes miqsh, apo gjatë një telefonate, apo kur në rrugë dikush thërriste dikë që kishte emrin tënd, apo kur...por ai nuk ishe ti. Edhe në shkollë. Në kafe. Në supermarket. Në punë. Edhe kudo...Kudo. Në çdo vend që shkelja. Gjithashtu do të ishte patjetër një vend ku do ishte i shkruar emri yt. Madje mbaj mend që një ditë në sallën e leksionit, ashtu përhumbur, pa dashje më shkojnë sytë diku. Kisha përballë një karrige me emrin tënd të shkruar tek pjesa e mbështetëses së saj. Pikërisht aty duhej të isha ulur? Një miku im e mori dhe i ndërroi vend. Sa  e vlerësova. Sa përpjekje e bukur dhe e kotë. Sikur të ishte aq e lehtë.

M’u kujtua në atë moment që një ditë i kisha folur atij se emrin tënd e kisha parë të shkruar në dorën e një djali të vogël, i cili po mbahej aty afër meje në autobus. E kisha para syve dorën e tj me emrin tënd të shkruar. Ishim aq sumë njerëz me aq pak vend sa nuk kisha ku t’i hidhja sytë tjetërkund, nuk kisha si të mos e shihja. Të betohem që në një moment i mbylla. I mbylla trishtueshëm. Ai më buzëqeshi me çiltërsi. Kisha humbur nëpër kujtime dhe ndjeva përqafimin e mikut tim, në atë sallën e zhurmshme të leksionit, ku pak më larg nesh ishte ajo karrigia me emrin tënd. Nuk doja t’i hidhja sytë atje. Nuk doja më as të ulesha në auditore që kishin të shkruar emrin tënd. Nuk doja. Po, e pranoj, aty jam lutur që ai përqafim të zgjaste. Dhe jam lutur e lutur që të mos më kujtohet më kurra mungesa e përqafimit tënd. Dhe më kot u luta. M’u kujtua. M’u kujtove ti. Ti në përqafimin e dikujt tjetër.

Zot, sa ndjesi mbytëse. Akoma më keq, unë kam të njohur, miq, për më tepër të afërm që gjithashtu mbajnë emrin tënd, apo të ngjashëm me të. Je kaq larg, por je kudo. Kaq i veçantë për mua, me një emër kaq të përhapur, kaq të zakonshëm. Lutesha të mos më bënte më përshtypje. Kurrë më! Jam lutur që askund të mos shihja dikë që të ngjan ty, që ka të njëjtin stil të veshur, flokësh, gjatësie, tiparet e tua. Ai nuk ishe ti. E megjithatë unë sikur ngrija në vend. E detyroja veten të mos e ktheja kokën, të mos përhumbja shikimin e trishë mbi askënd. Nuk mund ta hiqja mallin vetëm duke parë një të panjohur që të ngjante ty. Mallkueshëm të ngjanin. Dhe vazhdoja rrugën me atë përshtjellimin e bukur e të mundimshëm të ndjenjave. Oh sa shumë mall. Dhe e gjeja veten padashur duke menduar nëse të kishte ngjarë dikush si unë? Nëse ndonjë moment kishe ndjerë aq shumë mall sa do kishe dashurtë gjej diçka timen te dikush tjetër. Nëse duke ecur rrugës kishte qenë para teje ndonjë vajzë me flokët si të miat. Dhe në të qindtën e sekondës ti të kesh menduar që jam unë dhe të jesh zhgënjyer që nuk isha unë. Pas kësaj, a ke ndjerë mall më tepër?

Por unë jam lutur që të mos ndihesha më ashtu. Kurrë më. Jam lutur që më mirë të ecja e përhumbur rrugës, sesa të vija re që po ecja në të njëjtën rrugë ku kaloje shpesh, ku disa herë u takuam rastësisht. Apo të mos vija re kafenenë që dikur uleshim bashkë, përsëri rastësisht. Apo të harroja që studioja  në të njëjtën ndërtesë universiteti që kishe studiuar edhe ti, ku rastësisha kishte ngulur këmbë që të të takoja te shkallët e një pjese të ndërtesës. Që na ajo ditë, vetëm dy herë të tjera i kam ngjitur ato shkallë. Janë plot me kujtime dhe më rëndojnë. Shumë. Isha e lodhur...tepër.

Jam lutur që të mos ishe në mendjen time aq shumë, sepse gëzohesha pak. Përfundoja e lënduar në fund të ditës, kur kuptoja që unë nuk kisha qenë mendimi yt, aq i vetmi, as më i rëndësishmi, as më pak i rëndësishmi. E kuptova kur reshte së shkruari, kur reshte së dërguari mesazhe. Por ti më thoje se fakti që nuk më shkruaje nuk do të thoshte se nuk të mundoja. Po nga ta dija unë? Nuk doja të ishe në mendimet e mia sepse shpërqëndrohesha. Sepse isha e lodhur duke mbajtur të gjallë në mendimet e mia një marrëdhënie gjysmë të vdekur. Sepse trishtohesha dhe ndjeja mall. Jam lutur që asnjë mashkull të mos mundohet të kishte patjetër vëmendjen time, se nuk më interesonte. Nuk doja që askush të mundohet të fitonte me gjeste të bukura një vëmendje që e pate vetëm ti, që e përdhose, pa kuptuar, padashur. Ndoshta jo dhe aq padashur.

Nuk doja përkujdesjen e asnjërit sepse do më kujtohej përkudesja dhe mospërkudesja jote. Nuk doja të më flisnin për ndjenjat e tyre kundrejt meje. Ndjehesha si në faj se une unë ndjeja tepër per ty. Me dukej si tradhti ndaj teje thjesht fakti që i degjoja të m’i shprehnin. Por them se ndoshta kemi mendime krejt të ndryshme mbi konceptin e tradhtise. Por ndoshta dikush tjetë i meritonte ndjenjat e mia. Më shumë se ti. Fatkeqësisht. Lutesha që të mos më pyesnin për ty. Nuk doja më një “po ai djali që më ke folur për të...?”, apo një “po ai akoma nuk është kthyer?”, apo nga ndonjë mike “po sot të ka shkruar?”. Çfarë t’u thoja? Vallë a të ishin bërë ndonjëherë të tilla pyetje? Mbase, ku i dihet.

Fillova të lutesha që të mos më vijë më në ëndërr. Ne nuk kishim si të bashkoheshim vetëm në ëndrra, kur në të vërtetë ishim të ndarë në 1001 mënyra. Se ëndrrat nuk janë për të shuar mallin, përkundrazi. Jam lutur kaq shumë.

Jam lutur edhe që të jesh mirë, që kur të me thoje "jam mirë" të ishe vertet. Jam lutur që... Jo për këto do të të them një herë tjetër. Kanë qenë ditë të mbushura plot me lutje. Jam lutur që të mos ishe lutja ime. Dhe sot nuk je. Jo më." - shkruar nga një vajzë anonime për Revista Anabel, Facebook.