Kur mendoj se një gabim i imi do të më kishte rrëmbyer nga duart lumturinë më të madhe të jetës, më rrënqethet trupi dhe mbushem në djersë të ftohta. Si sot, 4 vite më parë, mësova se isha shtatzënë. Ishim të dy të lumtur për këtë bekim që do të na ndryshonte jetën, derisa në muajin e 4-ët, mora një lajm që preu entuziazmin tim në mes. Pas ekografisë, mjeku më pa si me keqardhje dhe më tha se fëmija që do lindja, kishte probleme.
Imagjinoni për një çast gjendjen time. Bota m’u shemb dhe asgjë s’bënte më sens. Ngrija sytë nga qielli dhe kërkoja një shpjegim. Pse fëmija im, gëzimi im i parë të lindte i sëmurë? Gjithsesi, për anjë moment nuk mendova abortin. Instikti i nënës më thoshte se sido që ai të vinte, do të ma gëzonte jetën dhe për asgjë në botë nuk do ndaloja lindjen e tij.
Im shoq ishte njeriu i parë që më tha ta abortoja, por këmbëngulja ime ishte e frikshme dhe s’dëgjova asnjë. As familjarët që përpiqeshin të më mbushnin mendjen me qindra arsye, duke më thënë se isha e re, se do ta provoja sërish, se as ai nuk meritonte të jetonte ashtu.
Të them të drejtën, asgjë nga këto nuk ndikoi në vendimin tim. Do ta mbaja. Zoti kishte një plan, kështu që kush isha unë ta ndryshoja?
Kur arrita në muajin e 9-të, sërish i njëjti mjek më tha me keqardhje se bebushi brenda barkut tim kishte probleme.
Ditët kalonin dhe njerëzit e mi, madje dhe më të afërmit nisën të më mbanin mëri për vendimin tim, aq sa zgjodha të tregohem drastike duke i thënë se do ta rrisja e vetme.
Erdhi dita që linda. Mes frikës, ankthit dhe lumturisë pashë vajzën time, një bebe që gëzonte shëndet të plotë! S’jam ndjerë krenare për asnjë vendim timin deri atë ditë. E shihja dhe qaja nga gëzimi.Më torturonte ideja se mund ta kisha abortuar! Si mund t’ja mohoja unë një jetë këtij ëngjëlli?
Më shumë se unë, ky mendim torturoi për një kohë të gjatë tim shoq dhe familjarët tanë. Ata, që sot kanë një mbesë 4-vjeç, që mban energjinë e gjithë botës dhe ka sytë e dashurisë. Sot, ata më kërkojnë falje mua dhe asaj. I kam falur, sigurisht që po! Nëse s’do dëgjoja zërin e brendshëm dhe s’do t’i besoja instiktit që lindi ashtu krejt papritur, atëherë s’do të falja vetëm një njeri. Veten!