Fletore Kinemaje

Ditëlindja e fëmijës që s'u rrit kurrë!

Shkruar nga Anabel

1 Qershor 2019

Ditëlindja e fëmijës që s'u rrit kurrë!

Kur një fëmijë braktiset nga i ati ende pa lindur, dhe foshnjërinë e kalon brenda një dollapi, e gjithë jeta do t’i kalojë duke kërkuar dashurinë e mohuar. Kjo është historia e Marilyn Monroe, vajzës që mishëroi ëndrrat e burrave në të gjithë botën, por që nuk mundën t’ia mbushnin vendin bosh që i kishte lënë braktisja e prindërve.

Ajo u rrit nga fqinjët, pastaj në jetimore, e më pas nga mikesha e nënës së saj Gladys, e cila u dergj në një spital psikiatrik për vite të tëra. E abuzuar në moshën 11-vjeçare nga bashkëshorti i gruas që e mbante, Marilyn u bë ‘grua’ pa e ditur se ç’do të thoshte kjo. Dhe nuk do ta mësonte ndonjëherë.

‘Diamantet janë miqtë më të mirë të vajzave’, do të këndonte ajo mes shkëlqimit të gurëve të çmuar, por edhe pse kishte me dhjetëra të tillë në shtëpinë e saj, Marilyn nuk e gjeti kurrë shkëlqimin e humbur të fëmijërisë. Pas një aborti, dhe 3 martesave të dështuara, pas një dashurie të pakuptueshme për presidentin Jack Kennedy, ajo u gjet e vdekur në apartamentin e saj në 5 gusht të 1962-shit.

Ditëlindja e fëmijës që s'u rrit kurrë!

Lajmi i vdekjes së idhullit të miliona njerëzve nëpër botë tronditi njerëzit si asnjëherë tjetër. E megjithatë, bota vazhdoi edhe pa të, siç vazhdon pas vdekjes së çdo njeriu tjetër. Sot Marilyn Monroe mund të kishte mbushur 93 vjeç; por ajo mbeti përherë një kujtim i freskët, rinor, plot buzëqeshje e jetë e kështu, e pavdekshme si një njeri që nuk plaket kurrë, ashtu siç kurrë nuk u rrit.

‘Vetëm të qenit në qendër të vëmendjes më bën të ndiej se bota e di ekzistencën time’, do t’i pranonte ajo vetes. Gjithçka kërkonte ishte që njerëzit ta njihnin, e ashtu ta donin. ‘’Gjithçka dua, është të jem e mrekullueshme’- kjo është një ndër të paktat shprehje të cituara nën emrin ‘Marilyn Monroe’ që me të vërtetë është thënë nga Marilyn Monroe.

Edhe pas më shumë se gjysëm shekulli nga vdekja e saj (vetëvrasje ose jo, kjo mbetet tepër e dyshimtë) Marilyn ende kujtohet përmes fotove, shprehjeve që ajo s’i ka thënë kurrë, por që ngjajnë më të bukura me emrin e saj poshtë, dhe një stil të tërë jetese, veshjeje, joshjeje, frymëzuar nga Marilyn Monroe.

Ditëlindja e fëmijës që s'u rrit kurrë!

Sa shpesh na ndodh të hasim një lokal/ dyqan/ butik që të ketë portretin e Marilyn? Pothuajse çdo ditë. Sa shpesh frymëzohemi edhe pa e menduar nga Marilyn kur bëhemi gati për një mbrëmje? Sa herë veshim fustane veref, të bardhë, të kuq, sa herë duam të ndihemi koketa.

Sa shpesh e dëgjojmë se përmasa ideale është 90-60-90? Dhe ideali që kemi për një grua të bukur, a nuk është me sytë bojëqielli në formë bajamesh dhe flokët bjondë, buzët e plota e një buzëqeshje rrëzëllitëse? Kështu ishte Marilyn Monroe. Por shprehjet e saj, ato që i ka thënë me të vërtetë, tregojnë se Marilyn ishte shumë më shumë se vajza së cilës i përngjason kukulla Barbie.

*Shënim: Lajmi është i përditësuar