E dashur Kay,
S’të kam shkruar që prej ditës kur ndërrove jetë. Kam kaq shumë gjëra për të të thënë, për të të treguar. Si për shembull, ishte Mike ai që të vrau. Megjithëse mendoj se duhet ta kesh marrë vesh. Gjithmonë kam menduar që ai mund të të vriste. Që prej takimit tuaj të parë kur ishit veçse 17 vjeç.
Nuk ka patur një ditë që s’e kam menduar fytyrën tënde të bukur, atë fytyrë me të cilën jam familjarizuar prej vitesh. Shpeshherë më ndodh të zgjohem e mbuluar nga djersë të ftohta. Përpiqem në ëndrra të të prek, por t’i shkon shumë larg. Të thërras në emër, nuk më përgjigjesh. Përse?
E mora atë telefonatë të tmerrshme në orën 5 mbasdite, më 26 maj 2010. Një telefonatë që ndryshoi jetën time, mbarë ekzistencën. Asnjë paralajmërim, por drejt e në temë: "I dëgjove lajmet? Mike vrau Kay- n". U shemba në tokë. Ndjeva si qenia ime u copëtua, u ndava në mijëra pjesë. "Mike vrau Kay- n. Policia ka rrethuar shtëpinë me shiritin e verdhë".
Mbylleee! Mjaftttt! Pushooo! Nuk dua të dëgjoj më, nuk jam gati!
Nuk e mbaj mend se si shkova në spital, aty ku gjeta edhe babin. Kay, ishte hera e parë që e shihja të qante.
Mike na vrau të gjithëve, në mënyra të ndryshme. Të pashë teksa gjendeshe e shtrirë në tavolinën e argjendtë të morgut. Në dhomë ndjehej parfumi Chanel, rimeli të kishte rrëshqitur në vetulla e ndërsa buzëkuqi të ishte shpërndarë kudo. Tashmë kishe ikur, po ngjiteshe mbi re. Si ishte e mundur? Folëm bashkë disa orë më parë e ndërsa tani nuk kishe më as zë, as buzëqeshje, as jetë.
E ndjej të nevojshme të të rrëfej se vdekjen tënde nuk e përballova si një njeri normal. U çmenda! Dëgjoja mjekun të fliste dhe thellë brenda qenies sime ulërija :”Jooooo jooooo bir bushtre, ndyrësirë. Joooooo”
Po ti e dashur, më dëgjoje? Më dëgjoje mua se si përpëlitesha? Unë, e pathyeshmja.
Pastaj u gjenda në funeralin tënd. Në një kohë që shihja gjithë ato fytyra patetike dhe mendoja “po këta ç'dreqin bëjnë këtu” vrisja mendjen dhe doja të të pyesja për diçka: e dije që ai do të të vristë atë mbasdite? Te telefonova mijëra herë por nuk u përgjigje. Duhet të kenë qenë çastet kur Mike.... E ndjeve metalin e nxehtë kur të goditi pas koke?
Nuk e besoja dot. Pyeta dikë që m'u gjend pranë: vërtet e vrau ai njeri i tmerrshëm motrën time? Vërtet motra ime ka vdekur, domethenë vdekur vdekur përgjithmonë? Mora dy PO të njëpasnjëshme.
Ashtu??? Po si dreqin eci, si marr frymë, pse po jetoj? Nuk e prita fare mirë vdekjen tënde motër. Ç’them dhe unë. Ndjeva ferrin vetë. E keqja është se unë përherë e kam ditur se ai do të të bënte keq. Thellë në një cep të nënvetëdijes sime isha e bindur se kjo ditë do te vinte. Por çfarë mudn të bëja? T'ia merrja dhe thyeja ata gishtërinj vrastarë?
Çdo natë, para se të fle, lutem që të të shoh në ëndërr dhe të jem me ty. Sa udhëtime, ëndrra, plane, momente të lëna përgjysmë. Kim dhe Kay- përgjithmonë motra! Ja që ai të vrau dhe tani nuk e kemi më shansin. Pse ? Sepse heshtëm ndaj dhunës së tij. Të dyja motër, që të dyja heshtëm, me ndryshimin që ti s'dole e gjallë nga kjo histori...
Shënim: Letra u botua më 29 shkurt 2016, në kujtim të Kay- t, motrës së ndjerë të Kim- it, e cila e publikoi krijimin në blog- un e saj