Një postim i Aulona Mustës në Instagram u bë shkak për një temë diskutimi: A duhet të veshin vajzat e vogla reçipeta në plazh? E gjitha nisi nga një foto e postuar e moderatores (tashmë e fshirë) ku shfaqej bashkëshorti i saj së bashku me vajzën 4 vjeçe teksa i lexonte përralla. Instagrami e fshiu postimin për arsye nuditeti (lakuriqësie).
“Tani, unë realisht nuk e di sa i sëmurë psikik duhet të jesh që t’i bësh report një fotoje të mrekullueshme ku Amara ka dalë me babain e saj, duke i treguar përralla, me arsyen që Amara, një vajzë 4 vjece s’ka veshur recipeta,” shkroi Musta.
Pra, a ka të drejtë Aulona kur thekson se vajzat e vogla nuk duhet domosdoshmërisht të mbajnë reçipeta? Po.
Siç mund ta shihni edhe në sondazhin e Anabel, 91% e votuesve janë të mendimit se reçipetat nuk janë të nevojshme me patjetër. Referuar studimeve të shumta, mjekë, psikologë dhe seksologë, theksojnë se mbajtja e reçipetave në plazh dhe jo vetëm, duhet të nisë me periudhën e pubertetit, që përgjithësisht është 11 për vajzat, por në disa raste nis që në moshën 8-vjeçare, ndërsa në disa të tjera, pak më vonë.
Deri para se të nisë puberteti, zhvillimi trupor mes fëmijëve është i njëjtë, çka do të thotë se nuk është e nevojshme një diferencë e tillë te veshjet e plazhit.
Vlen të thuhet se specialistët theksojnë se mbajtja e mbathjeve është kusht për ekspozimin e fëmijëve në plazh. Me siguri që mund të keni vënë re shumë raste kur prindërit vendosin të mos i veshin vogëlushëve mbathje (zakonisht djemve). Një gjë e tillë është e gabuar për shkak të privatësisë dhe higjienës së fëmijës.