Hostel by Anabel

Ledia-Lina, si mishërim i simbolit më të famshëm feminist të viteve ‘70

Shkruar nga Anabel

4 Korrik 2019

Ledia-Lina, si mishërim i simbolit më të famshëm feminist

Kujdes: Shkrimi përmban spoilers nga seria finale e #Love #Likes #Tirana – sezoni i parë. Nëse nuk e keni parë ende, bëjini vetes një të mirë dhe mos vazhdoni leximin në vijim.

Teksa shihja serinë finale të #Love #Likes #Tirana, tre personazhe u kthyen në të preferuarit e mi: Ledia, Lina dhe një i/e tretë, të cilin/ën nuk po e zbuloj. Dyshja Ledia-Lina, referuar historisë pak a shumë të ngjashme, u shndërruan në dy anë të medaljes mbi një temë të ndjeshme dhe tmerrësisht të diskutueshme si aborti, që për çudi nuk kundërshtonin njëra-tjetrën.

Nisa të mendoj për filmat shqiptarë që e kanë trajtuar abortin në të tillë forme, pa censurë. Në fakt, kinematografia shqiptare nuk është pika ime e fortë, megjithatë teksa shihja trajtimin e temës në #LLT, m’u kujtua “Taulanti kërkon një motër”. Ndonëse pjesë e kinematografisë për fëmijë, filmi me regji të Xhanfize Kekos qe i guximshëm që në fillim të viteve ’80 të trajtonte figurën e një gruaje që kërkon të përqëndrohet te karriera. Pavarësisht faktit që mamaja e Taulantit (Yllka Mujo) bindet të mos abortojë, në film vihet re fryma feministe.

Ledia-Lina, si mishërim i simbolit më të famshëm feminist

Qe pikërisht kjo frymë që nuk mungoi as në serinë finale të #LLT. Zoi, teksa i kërkon Linës që të mos paragjykojë, thekson se “aborti është një e drejtë që i takon Ledias”. Në një kohë kur edhe në Amerikë – shtetin më të zhvilluar në botë – të drejtat e grave dhunohen haptazi, një qasje e tillë është padyshim për t’u vlerësuar. Mjafton të kujtoni projektligjin në Alabama që ndalonte abortin edhe në rastet e përdhunimit dhe incestit, për të kuptuar sa progresivë jemi në këtë pikë.

Një frymë të ngjashme e kam vënë re edhe në letrat e mbërritura në Revista Anabel në Facebook, ku të shumtë janë njerëzit që kur vjen puna te aborti, nuk paragjykojnë – kuptojnë.

Ledia-Lina, si mishërim i simbolit më të famshëm feminist

Por nga ana tjetër, një zgjedhje e tillë nuk është si buka me djathë. Për këtë linjë del në pah personazhi i Linës – një grua të cilës jeta i dha shumë mundësi për t’u bërë nënë, por nuk i shfrytëzoi. Figura e Ledias, e cila përfaqëson në një farë mënyrë lirinë e individit për të zgjedhur, nuk kundërshtohet aspak nga personazhi i Linës. Kjo e fundit, thjesht sjell një tjetër qasje që siç shumë shikues theksojnë, përfaqëson një “metaforë të ikjes së kohës”.

Ledia-Lina, si mishërim i simbolit më të famshëm feminist

Të dyja personazhet, sjellë si mishërim i simbolit më të famshëm feminist të viteve ’70, “Trupi im, zgjedhja ime” e trajtojnë një temë të ndjeshme si aborti në të gjitha dimensionet, gjithnjë pa paragjykuar.