Nëse u bëtë lëmsh nga emrat në titull, na lejoni t’jua qartësojmë pak situatën. Irisi (Alberta Kamenica) dhe Erioni (Ernest Manaj) te #Love #Likes #Tirana, të cilët pas shumë kohësh më në fund arritën t’i shprehnin ndjenjat hapur njëri-tjetrit, janë bashkë edhe në jetën reale.
Para se të transmetohej finalja e #LLT, të shumtë qenë fansat që i fotografonin shpesh Albertën dhe Ernestin rrugëve të Tiranës duke ngritur kështu dyshimet e para.
Përmes postimeve në Instagram, të dy kanë konfirmuan zërat që qarkullojnë prej pak kohësh. “Puthja në ekran ishte puthja jonë e parë, por jo e fundit,” shkruan Alberta.
Përsa i përket marrëdhënies së tyre, dyshja tregon për Anabel se njiheshin që prej sezonit të parë të “Hostel by Anabel”, por qenë xhirimet e #LLT çfarë i bëri më të afërt me njëri-tjetrin.
Duke qenë se luanin rolin e dy personazheve që dashurohen në fund, Alberta dhe Ernesti vendosën të kalonin më shumë kohë bashkë në mënyrë që të krijohej një raport më i natyrshëm mes tyre. Ata shtojnë se “puthja në ekran qe e para" dhe pritën që ta bënin publike romancën e tyre për të mos shkëputur vëmendjen nga harku i historisë mes Irisit dhe Erionit.
