Letra e ditës

Historitë tuaja: ‘Humba fëmijën kur mora vesh se burri shkonte me gjinekologen time’

Shkruar nga Anabel

6 Korrik 2019

Historitë tuaja: ‘Humba fëmijën kur mora vesh se burri

Përshëndetje! Dua të tregoj dhe unë një histori dhe preferoj të mbetem anonime. M’u kujtua dhimbja më e madhe e jetës sime kur pashë serinë e fundit të serialit (#Love #Likes #Tirana) dhe dëgjoja rrëfimin e Linës për abortet e saj.

(Shën.red. Në serinë finale të #LLT, Lina tregon se në të kaluarën ka kryer 3 aborte pasi nuk mendonte se ishte çasti i duhur për t’u bërë nënë).

Në fakt, “m’u kujtua” nuk është fjala e duhur, pasi të them të drejtën nuk e kam harruar kurrë. E mendoj çdo ditë, çdo minutë të jetë sime. Është e pashmangshme. Kushdo që e ka provuar e kupton më së miri dhimbjen që lë pas humbja e një fëmije, për të cilin ke vite që pret, për të cilin ke menduar gjithçka, që nga rrobat e deri te emri.

Pas 1 viti përpjekjesh të vazhdueshme, më në fund mora lajmin më emocionues të jetës. Isha shtatzënë. Aq mosbesuese isha, sa më besoni që bëra më shumë se 10 teste për t’u bindur.

Javët e para ishin me të vërtetë të tmerrshme sa më dukej sikur nuk do të zgjohesha ditën tjetër. E kisha të pamundur të haja, pasi çdo gjë e villja. Nisur nga problemet, të gjithë më thonin se e kisha vajzë, por unë e ndieja që do të bëhesha mami e një djali. Isha gati 2 muajshe dhe ishte e pamundur të kuptohej gjinia, ndaj nuk e mora vesh kurrë. Nuk e mora vesh sepse ai/ajo iku.

Një ditë, shkova të bëja një kontroll rutinë te gjinekologia. Të jem e sinqertë, vura re disa shikime të çuditshme mes saj dhe partnerit tim, por e kalova situatën pasi nuk ndihesha fare mirë fizikisht. Mbaroi vizita dhe ajo na dha numrin në mënyrë që ta kontaktonim në rast shqetësimi, a thua se nuk e kishim numrin e klinikës. Nejse, sërish nuk kapa gjë. Ose më mirë të them, dyshova, por kaq.

Unë nuk kam qenë kurrë xheloze, por u shndërrova në një tjetër njeri. E shihja me dyshim çdo lëvizje që ai bënte.

Nuk po zgjatem shumë. Një ditë, kur gjeta mundësinë t’i kontrolloja telefonin, pashë që fliste dhe ishte takuar me një X person. Takimi kishte përfunduar në seks me aq sa kuptova nga biseda. Nga fotoja në WhatsApp, pashë që ishte gjinekologia. M’u shemb bota.

1 javë lot, pagjumësi, stres dhe dhimbje. Ai mohonte gjithçka, me pafytyrësinë më të madhe. Shqetësimet duket se rezultuan fatal për bebin, pasi abortova. Nuk po flas për momentin e tmerrshëm, ndoshta herë tjetër. Ndoshta kurrë.

I dhashë fund lidhjes sonë pa e menduar dy herë. Nuk mund ta falja dikë dhe të qëndroja me frikën se dikush tjetër, ndoshta gjinekologia e ardhshme do të kthehej në dashnoren e tij.” – shkruar nga një grua anonime në Revista Anabel, Facebook.