Anonim të lutem

Letrat tuaja: Dieta, palestra dhe i dashuri që ju duhet për të rënë në peshë

Shkruar nga Anabel

11 Korrik 2019

Letrat tuaja: Dieta, palestra dhe i dashuri që ju duhet për të

Në çdo moment të dhënë, dikush, diku, po kërkon për dietën keto. Apo për dietën Dukan. Apo për atë sipas grupit të gjakut. Në një moment të mëvonshëm, po këta njerëz po studiojnë palestrat afër shtëpisë dhe po vënë në peshore vrapin nga liqeni, që është falas, apo instruktorin e palestrës, që s’është.

Për t’iu ardhur në ndihmë gjithë atyre që gjenden në këtë pozitë, mblodhëm ndjekësit tanë në Facebook dhe i pyetëm si ia dolën mbanë. Paçi fat.

“Unë isha një nga ata personat që e filloja dietën të hënën në mëngjes dhe mbrëmja më gjente me sufllaqe para. Arrita 92 kg dhe nuk ndihesha aspak mirë me veten. Barku sa vinte e rritej, pamundësia në lëvizje, lodhesha shpejt. Deri sa erdhi momenti dhe mora guximin të regjistrohesha në palestër, të cilën prej pesë muajsh e frekuentoj rregullisht tre herë në javë. Normalisht, fillova dhe dietën paralelisht me palestrën. Në mëngjes konsumoj një vezë të zierë, një gotë qumësht dhe një fetë bukë të thekur me djathë. Në drekë ha gjellëra dhe mish, ushqimet e nevojshme për të marrë proteinat dhe vitaminat e nevojshme për trupin. Ndërsa në darkë vetëm kos me tërshërë dhe një frut. Me këtë rutinë kam rënë nga 92 kg në 78 për pesë muaj. Kryesor është vullneti dhe vendosmëria për të filluar dhe çuar deri në fund diçka.”

Letrat tuaja: Dieta, palestra dhe i dashuri që ju duhet për të

“Për t’i rënë shkurt, unë jam mami i tre fëmijëve dhe peshor 55 kg, 160 cm e gjatë. Kjo dietë funksionon se të del shpirti.”

“Para se të mbesja shtatzënë peshoja 54 kg. Deri në fund arrita  thuajse 68, se muajin e fundit nuk u peshova. Katër muaj pas lindjes isha 56 dhe një vit e gjysmë isha 48. Nuk mbajta dietë fare. Vetëm ndërrova regjimin ushqimor. Qëllimi nuk ishte të dobësohesha, por që im bir të hante shëndetshëm, duke qenë se e ushqeja me gji. Nevojitej që unë të ndryshoja mënyrën e të ushqyerit. Fëmija ha çfarë ha nëna. Hoqa yndyrnat përveç vajit të ullirit dhe gjalpit të freskët. Nuk ha asgjë të konservuar. Ëmbëlsirat i hoqa që në shtatzënia dhe nuk ndjeja më neps për to. Hoqa dorë nga pijet me gaz dhe nga gjithë pijet e tjera që shiten në market. Përveç sheqerit dhe konservantëve me shumicë nuk kanë asgjë tjetër. Pi ujë, dhallë, lëngje frutash, smoothie. Është psikologjike. Nëse e ngulit në mendje që ai ushqim është i pashëndetshëm, nuk të hahet më. Eci përditë. Përtoj të shkoj në palestër dhe të bëj ushtrime në shtëpi. Tani, pas dy vitesh nga lindja thjesht ha ndonjë copë torte për ditëlindje ose bakllavanë që e qan vjehrra. Kam arritur peshën ideale që lidhet me gjatësinë time. Jam 51 kg. Gjatësinë nuk e them se s’ndihem dhe aq krenare.”

Letrat tuaja: Dieta, palestra dhe i dashuri që ju duhet për të

"Si kam rënë në peshë?!

Po ja moj se të tregoj unë.

U lidha me një djalë problematik, me 1000 probleme, pa kokërr leku në xhep për vete se unë s’i kërkova asnjëherë asgjë se falë Zotit kam lekët e mia për gjithçka. Me pak fjalë ai s’kishte asgjë të rregulluar dhe sikur mos të mjaftonte kjo kishte dhe shumë pordhë e hundën përpjetë dhe bënte sikur “Unë jam burrë, s’guxon e dashura ime të flasë me shok/shoqe, të dalë nga shtëpia pas orës 21:00 të darkës.”

Iku dhe kjo, por si mos të mjaftonte, zotëria në fjalë donte që unë t’i rrija afër në cdo situatë të tijën të vështirë dhe t’i thoja që gjithçka do shkonte mire por kur unë kisha ndonjë problem më thoshte ‘ik se ti je histerike bën kot ti’. Në aq pak sa ndenja me të më shkatërroi sistemin nervor dhe si përfundim më ndaloi dhe çdo lloj të dale. Dhe këtu s’mbajti më ujë pilafi dhe i thashë mos u pafshim më kurrë. Si pasojë e mirësisë sime që doja t’i rrija afër dhe t’i bëhesha krah, humba 7 kg për më pak se një javë dhe përkeqësova aneminë time.

Do të dobësohesh? Më kontakto të të jap numrin e tij dhe 1 muaj rri me të se do bëhesh gati per plazh.”