Jam 24 vjeçe dhe kam qenë gjithnjë në siklet për mënyrën si dukem atje poshtë. Jo mjaftueshëm në siklet sa të mos bëj seks, s’kam pasur kurrë ankesa në këtë aspekt, por mendoja vazhdimisht për labian time që ishte e madhe. Më parë, kisha bërë një ndërhyrje kozmetike në vesh, që doli mirë dhe mendova se edhe një labiaplasti do të më ndihmonte me vetëbesimin.
Kështu që, dy muaj më parë, hyra në operacion. I thashë vetëm një shoqeje. Shkova dhe u ktheva nga spitali vetëm. Shefit i thashë që isha me pushime. E kuptova menjëherë që diçka nuk shkonte. Në vend të një zvogëlimi, më kishin hequr gjithë labian. Java e parë pas operacionit ishte java më e keqe e jetës sime. Qaja disa herë në ditë. Madje mendova të vetëvritesha. Pasojat e veprimit tim filluan të shfaqeshin gradualisht – mezi ecja dhe ulesha. As shoqes nuk i tregoja dot – nëse e thoja me zë të lartë, do të ndihesha edhe më keq.
Kërkova dhe zbulova se 95% e atyre që i nënshtrohen kësaj ndërhyrjeje dalin të lumtur nga salla. Pse shkoi keq operacioni im? S’ka pasur asnjë efekt në epshin tim, por më duket sikur kam humbur një pjesë të feminilitetit. Ideja e të bërit seks më tmerron; sidomos kur shoh mëshirën në sytë e dikujt pasi i them që ia bëra vetë vetes.
Më parë dilja me djem të ndryshëm, por tani më duket e pamundur. S’kam pasur kurrë një lidhje serioze dhe mendoj se s’do të ndodhë ndonjëherë. Sikur ta ktheja kohën mbrapsh.
Shkruar nga një grua anonime për The Guardian
Shën. red.: Labia është termi mjekësor për buzët e vulvës, pjesës së jashtme të vaginës. Labiaplastia është një ndërhyrje kozmetike që konsiston në zvogëlimin e labias.