Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.
Takimi i parë me njerkën time ishte kur isha vetëm 5 vjeçe. Nuk kujtoj shumë nga ajo kohë, por mbaj mend që më lidhte flokët bishtaleca dhe vazhdimisht më pyeste se çfarë doja të vishja. Ndonjëherë mërzitesha kur më duhej të vendosja vetë për rrobat e mia dhe nuk mund ta mohoj që zakonisht më dukej sikur ajo e bënte kastile që të më mërziste. Ajo e dinte që unë e kisha bezdi të zgjidhja rrobat, pse më pyeste?
Isha fëmijë. Ende nuk kisha shkuar në klasë të parë dhe zor se mund ta kuptoja që ajo, njerka ime, gruaja e dytë e babait, thjesht ndihej ndoshta e përjashtuar dhe kërkonte që për çdo gjë, ne të miratonim fillimisht. Në fakt, kur them ne, e kam fjalën për veten.
Për mua ishte e vështirë ta pranoja si nënën time, jo sepse nuk e doja, përkundrazi. E doja shumë dhe vazhdoj ta dua më shumë çdo ditë. E kisha të vështirë për faktin që në një moshë 5-6 vjeçe, një fëmijë e kupton se personi “i huaj” në shtëpi nuk është “mami”. Për fatin tim të mirë ose të keq, e mbaj mend pak si në mjegull kohën kur nëna ime u largua nga shtëpia.
Më kujtohet momenti kur doli te dera me valixhe në dorë. Më puthi dhe iku pa e kthyer kokën pas. Ose të paktën më duket sikur e mbaj mend, pasi nuk është çudi që ta kem krijuar këtë skenë në kokë nga historitë që më tregonte herë pas here gjyshja. Ajo iku jashtë shtetit, u largua për në Itali me disa familjarë të vetët, fill sapo u nda nga babi. Gjyshja më thoshte se duheshin shumë, por dëshira e saj për t’u larguar medoemos kishte sjellë pafund debate në shtëpi, sa vendimi për t’u ndarë ishte i pashmangshëm. Babi, një familjar i devotshëm dhe shumë i përkushtuar, nisur dhe nga gjendja e rënduar e gjyshit, i kërkonte që të shkonin në emigrim në një moment të dytë. Ajo nuk pranonte dhe kështu nisi të tatëpjetën dashuria e tyre.
Largimi i saj ishte i traumatik për një fëmijë. Qaja dhe e kujtoja çdo ditë. Kërkoja të flisja me të. Pyesja gjyshërit se kur do të vinte. Refuzoja të puthja dhe përqafoja babin pasi kisha një inat të brendshëm se ai e kishte fajin që mami u largua. Por jo. Me kalimin e viteve kuptova që nuk ishte faji i tij. I rrethanave? Nuk e di. Nuk i kam dhënë ende përgjigje. Nuk dua të paragjykoj askënd, gjithsesi. Mbase jo të gjitha janë të gatuara për të qenë NËNË. Ndoshta.
Të mos e zgjas shumë, po i rikthehem njerkës. Ndryshe nga nëna ime, e cila më merrte në telefon vetëm për ditëlindje, për ndonjë festë dhe tek-tuk pa ndonjë rast specifik, njerka ishte shumë më kujdesshme seç e prisja. Duke qenë se unë nuk i thërrisja mami (as sot nuk i thërras mami në fakt) ne e kishim më të lehtë të kishim një raport si shoqe.
Pavarësisht ndonjë konflikti të mundshëm, ia dolëm që për vite me radhë të ndërtonim një raport shumë të ngushtë. Le të themi që nuk puthemi dhe përqafohemi çdo ditë, pasi të dyja nuk i durojmë fort puthjet, por e di që e duam njëra-tjetrën më shumë seç e shprehim.
Ajo dhe babi sot kanë edhe dy fëmijë të tjerë. Fillimisht ndihesha pak keq se më duket sikur do të më zëvendësonin dhe unë do të zhdukesha nga zemra e tyre njëherë e përgjithmonë, por jo. Vëllai, motra dhe unë jemi kaq të barabartë. Për të mos thënë që unë jam më e përkëdhelura. Ata e dinë historinë time. Për të dy, unë jam pika e dobët.
Njerka, për fatin tim të mirë, nuk u bë kurrë si mami. Ndryshe nga mami biologjik, të cilën e kam takuar vetëm 3 herë në jetën time, nëna që fati më dhuroi është krejt e kundërta. Zoti të hedh me një dorë dhe të pret me tjetrën thonë. Dhe në ka një gjë që i jam mirënjohëse përgjithmonë, është fakti që më solli një engjëll në kohën kur kisha më shumë nevojë. – shkruar nga një vajzë anonime për Revista Anabel, Facebook.