Dje, Ermal Mamaqi, nën një foto të tijën, shkroi se është “gati për të thyer një tjetër rekord, vetes.” Nënshkruar nga Ermal Modesti. Ai deklaron se është gati për fillimet e filmit tjetër dhe thyerja e rekordeve ka të bëjë pikërisht me këtë produksion.
Tjetërkund, pak më vonë, Bes Kallaku postoi një foto me stafin e filmit “Falco,” ide dhe produksion i tiji. “Nuk synojmë thyerje rekordsh, por thyerje brinjësh nga të qeshurat për këdo që do e shohë,” shkruan ai në përshkrim.
Ermali dhe Besi ruajnë raporte miqësore me njëri-tjetrin, por kjo s’do të thotë që s’e kuptojnë se lufta për të qenë aktori komik më i suksesshëm në vend është e ashpër. Aq më tepër kur të dy po punojnë për projekte të të njëjtit lloj, për filma. Nisur nga lufta për thyerje rekordes e brinjësh, mes tyre po ndërtohet një sfidë e heshtur për majën. Në pamje të parë, nuk të krijohet ideja se Besi dhe Ermali janë të ngjashëm, por mjafton të lidhësh dy pika për të nxjerrë në pah se në fakt, janë më të ngjashëm nga ç’mendojmë.
Ermal Mamaqi dhe Bes Kallaku i patën fillimet e tyre në “Portokalli,” si aktorët më të suksesshëm të spektaklit të humorit. Të dy arritën të njiheshin përtej kësaj. Pra nuk ishin thjesht “ai aktori i ‘Portokallisë,’” por Bes Kallaku dhe Ermal Mamaqi. Më vonë, të dy u angazhuan në nisma të tjera përtej aktrimit, veçanërisht si autor dhe moderator programesh televizive. Madje, të dy kanë prezantuar “Këngën Magjike” përkrah Ardit Gjebreas në edicione të ndryshme.
Të dy janë marrë me muzikë. Ermali në fillim të viteve 2000 me grupin The Dreams pas largimit të Flori Mumajesit e më pas në fillimt të viteve 2010, teksa aktronte për “Apartamentin 2XL.” Ndërsa për Besin, karriera në muzikë nisi me këngë parodi, që kishin karakter komik. Më pas, bashkëpunim pas bashkëpunimi, ai filloi ta merrte më seriozisht këtë aspekt të karrierës.
Të dy janë të dhënë të biznesit. Ermali identifikohet me biznesin e eventeve dhe dasmave, ngritur me bashkëshorten e tij, Amarda Toska. Ndërsa Besi me restorantin me specialitete peshku në Tiranë.
Fillimisht, Ermal Mamaqi u shpreh si mbështetës i Partisë Demokratike falë lidhjes së gjakut që kishte me të ndjerin Sokol Olldashi. Së fundi, është asociuar me kryetarin socialist të Bashkisë së Tiranës. Bes Kallaku nga ana tjetër, ka qëndruar gjithnjë pranë Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Pra, është mbështetës i LSI.
View this post on Instagram
Momentalisht, Ermali po punon për filmin e tij të dytë, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati “2 gisht mjaltë,” por sërish mbetet përvoja e tij e parë si producent në një film. Prej dy vitesh, Bes Kallaku, po zhvillon atë projekt që tani njihet si “Falco,’ filmi që pritet të dalë në kinema së shpejti. Ai ka punuar me skenarin dhe produksionin.
Të dy nuk përmbahen aspak kur vjen puna te promovimi i projekteve të reja. Madje, pa u realizuar ende, sigurohen të marketojnë idenë. Nuk i tremb të qenit në qendër të vëmendjes a të jetojnë në sy të botës.
Të dy kanë hapur kompani produksioni. Ermal Mamaqi me Mamaqi Production dhe Bes Kallaku me Loku Films, për të sinjifikuar kështu jetëgjatësinë e kësaj nisme në kinematografi.
Për t’i dhënë një dorë fatit, edhe Besi dhe Ermali do të përdorin ose kanë përdorur në filmat e tyre personazhe të famshëm që nuk identifikohen me aktrimin. Për shembull, Elvana Gjata në “2 gisht mjaltë” dhe ndër të tjerë, Bleona Qerreti në “Falco.”
Për sa i përket jetëve personale, të dy kanë në dukje familjet perfekte dhe adhurohen en masse. Kujdesen shumë për imazhin që përcjellin te publiku dhe për mënyrën si perceptohen. Gjithashtu, një pjesë domethënëse në jetët e secilit e zë marrëdhënia me Zotin. Të dy janë të krishterë dhe nuk kanë tentuar në asnjë moment ta ruajnë këtë fakt nga sytë e fansave.