Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në një lokal të Porto Palermos terrorizoi turistët spanjollë dhe gjithë vendin.
Pasi turistëve s’iu pëlqeu shërbimi në restorantin e Mihal Kokëdhimës, ata u larguan. Kokëdhima u acarua, u konfliktua fizikisht me ta, u shkaktoi dëmtime në trup e më pas ndoqi furgoni me të cilin u larguan.
Sot, në gjykatën e Vlorës do të merret masa e sigurisë për pronarin e lokalit, i cili mohoi të ketë ushtruar dhunë ndaj tyre.
"Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë? Nuk kam prekur njeri me dorë. Ku i kanë faktet që i preka me dorë? Më rrëzuan në Qeparo nga makina! Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur."- tregon ai.
Siç mund ta shihni në videon më poshtë, të realizuar nga brendia e furgonit, vihet re Kokëdhima i është hedhur përpara makinës dhe gjuan pambarimisht xhamin e parmë deri sa e thyen.
"Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin, dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”– vazhdon Kokëdhima.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë kërkuar masë sigurie më të butë, pasi sipas tyre asnjë prej akuzave nuk qëndron për ta mbajtur prapa hekurave. Sjellja terrorizuese e pronarit të lokalit nuk ndodhi me turistët spanjollë për herë të parë. Klientë të tjerë, tregojnë se historiku i dhunshëm i Kokëdhimës është i hershëm.
Burimi: Lapsi.al