Gay

Të jesh një djalë gay në Shqipëri

Shkruar nga Anabel

29 Gusht 2019

Të jesh një djalë gay në Shqipëri

Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.

~

“Mora iniciativën t’ju shkruaj që kur lexova letrën e një djali, publikuar nga ju para ca ditësh. Gjatë shkrimit të kësaj letre, preferoj të mbetem anonim.

Jam 18 vjeç. Historia ime fillon që në fëmijërinë e hershme, që në kopsht ose edhe më herët. Kam qenë gjithmonë ai djai që më pëlqente të bëja pak makeup, të vishesha bukur me fustane apo edhe të provoja takat. Më pëlqente shumë të luaja me kukulla Barbie dhe asnjëherë nuk kërkoja lodra për çuna. Ndoshta kjo gjë vinte dhe si rrjedhim i femrave që më kanë rrethuar në fëmijëri, ndërkohë që babi punonte jashtë. Normalisht, si fëmijë i vogël, askush s’më thoshte gjë, por me kalimin e kohës, ndoshta filloi të binte në sy fakti se më shumë jepesha pas gjërave femërore sesa mashkullore.

Pavarësisht se nuk dija gjë akoma për punën e orientimeve, ndjenjave, lidhjeve dhe çdo gjëje tjetër që kishte lidhje me botën e të rriturve. Kur unë isha në moshë të vogël, kuptoja e ndihesha rehat në prezencën e një mashkulli, ndihesha ngrohtë dhe më pëlqente kjo gjë. S’e kuptoja ç’ishte, thjesht më duke normale. Sa më shumë rritesha, aq më shumë zhvillohesha, por jo si mashkull, madje as fizikisht. Kjo gjë me sa duket u kishte rënë në sy dhe prindërve të mi dhe unë nuk e dija, thjesht e kuptova nga disa biseda. Duke u rritur e duke u informuar më shumë rreth çdo gjëje, mora vesh se isha gay, homoseksual apo pederast si e përdor shoqëria jonë për tallje. Që më pëlqenin meshkujt e dija, e kuptoja, thjesht nuk dija etiketën që i vendosej këtij orientimi. Për shumë vite me radhë, që kur hyra në shkollë, jam përballur me shumë situata nga më të ndryshmet. Ndërkohë që isha në kopsht, edukatorja i thoshte mamit që djali ka qejf të rrijë vetëm me goca, ndërsa mami më pyeste mua pse s’rri me çuna. Unë s’dija ç’t’i thoja, ndihesha keq. E njëjta gjë ndodhte dhe në shkollë, madje edhe mësuesja më pyeste. Më rëndonte gjithmonë ideja se dikush mund t’i thoshte mamit ose babit dhe unë s’do dija ç’të flisja, thjesht do heshtja.

Si fëmijë i vetëm për shumë vite, s’kisha me dikë më të rritur të më mbronte, madje asnjë të afërm më të rritur në shkollë. Thjesht duhet të mësohesha vetë si të sillesha me të tjerët. Më ofendonin, më shanin, isha fëmijë kokë e këmbë i bullizuar. Ur hyra në periudhën e pubertetit, fillova të kem shumë komplekse, shumë siklet. S’më pëlqenin zonat e populluara në shkollë se e dija që do më tallnin. Pavarësisht se gjithmonë u jam kthyer, në vetvete ndihesha shumë keq. Detyroja veten të pëlqeja goca, por ishte e pamundur. Lutesha të isha ‘normal,’ por s’mundesha. Thjesht nuk e pranoja dot veten vetëm falë shoqërisë. S’më dukej vetja aspak normal, ndërkohë që kam qenë shumë normal. Si pasojë, u rrita i mbyllur në vetvete, u rrita me frikë, u rrita i ndrojtur, u rrita si fëmijë i mbyllur në shtëpi që ndihej në siklet të dilte sepse njerëzit do flisnin.

Avash avash, i erdhi fundi 9-vjeçares dhe tashmë në zhvillim e sipër, ca ndjenja nuk mund t’i kontrolloja tashmë. Nuk e dija ekzistencën e adresave fake të Facebook apo gay dating apps dhe rastësisht i zbulova. Hyra në një botë komplet të re ku duhej shpejt të përshtatesha. Si një djalë pa vetëvlerësim, vetëbesim, i mbyllur, i kufizuar, përmë tepër në një moshë kritike, njihesha me shumë meshkuj dhe më dukej sikur i pëlqeja të gjithë dhe doja të njihja gjithnjë e më shumë. Më dukej shumë normale kjo dëshirë. Kam eksperimentuar pafund, kam gabuar shumë dhe kam mësuar shumë. Krijoja lidhje të kota virtuale që për mua dikur kishin rëndësi.

Gjithsesi, erdhi në periudhë e tillë ku edhe klasa ma thoshte pa pike problemi ç’pederast që jam, ku ndihesha ndryshe nga të tjerët, ku s’isha i lirë të isha vetvetja, ku shikoja sa njeri me komplekse dhe i padëshiruar jam. Një ditë, prindërit e mi e morën vesh nga mësuesja kujdestare se si çunat e klasës më tallnin. Ka qenë ditë ma e keqe e jetë sime deri në ato momente. Vazhdimisht prindërit më pyesnin pse më tallnin, ç’më thonin, dil jashtë, sillu si çunat, mos këtë e mos atë. Më peshonte shumë kur më pyesnin në pëlqeja ndonjë gocë. Dhe unë gjithmonë u thoja se jam i vogël, kam shkollën para.

Dalëngadalë, u mbush kupa. Duke vuajtur çdo ditë e më shumë, duke mos u ndjerë ‘normal,’ lutesha natë për natë që të nesërmen mos t’i hapja sytë. Mendoja të blija fotoksinë e t’i jepja fund jetës. Në fund të fundit, një gay më pak për shoqërinë shqiptare. Mendoja t’u lija prindërve një letër ku u shpjegoja gjithka. Ok, do vuanin, por ndoshta do isha më mirë i vdekur sesa të duronin fjalët e të tjerëve. Në fund të fundit, shqiptarët më shumë vriten nga fjala e komshiut. Më vinte keq që do t’i lija, por s’kisha ç‘bëja. Ditën e fundit të kësaj periudhe pa shpëtim në mendjen time, desha të pija gjithë ilaçet e tensionit që kishte mami në shtëpi, por s’e bëra. Më pengoi prezenca e saj në dhomë. Isha aq gati sa akoma s’e kuptoj si nuk i dhashë lamtumirën kësaj bote. Qëndrova. Nuk e mohoj dot as ndikimin e mirë që ka pasur shoqëria ime. Dhe ata më kanë ndihmuar vërtet shumë.

Rëndësi ka tashmë që ato kohëra kaluan. Fatmirësisht, një vit të parë në gjimnaz, më ndihmoi tejmase psikologia e shkollës. Duke u takuar herë pas here me të gjatë orëve të lira, pësova një ndryshim tërësor. Nga djali i mbyllur në vete, i padalë, djali me komplekse, në siklet vazhdimisht, i ndrojtur dhe i shtirur, jam shndërruar në atë person që shumë do të donin të ishin. Më e rëndësishmja është se kam pranuar veten time dhe që nga ky fakt ka ndryshuar gjithçka. E shoh jetën me tjetër sy. Sado të flasin, mua s’më intereson më dhe aq më shumë krenar ndihem për veten time. aq më shumë jam vetvetja dhe aq më pak komplekse kam. Njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se orientimi dhe intimiteti, lidhjet, takimet, martesa, janë personale. Askujt s’ka ç’i duhet me kë fle unë. Shoqëria thjesht duhet të kuptojë se asnjë gay, bi, lezbike a trans nuk mund të ketë ndikim. Ai që është i sigurt për orientimin e tij të vazhdojë i qetë. Në të kundërt, atëherë, të qëndrojë dhe të kuptojë se problemi qëndron te ai vetë. Mendoj se njerëzit nuk e njohin mjaftueshëm e as tentojnë të njohin tamam veten e tyre. Prandaj kanë frikë se tundohen.

Do ishte bukur sikur televizionet shqiptare t’i trajtonin personat gay në një mënyrë normale, të shfaqin njerëz gay të edukuar, të arsimuar dhe të arrirë, jo personazhe si Lepurushja (pa paragjykuar) apo ku ta di unë që rrjedhimisht bëjnë të mendosh keq për ta.

Shpresoj shumë që kjo gjë të ndodhë, në mënyrë që edhe prindërit e mi, por jo vetëm, ta kenë më të lehtë të pranojnë faktin se fëmija i tyre është gay apo lezbik. Për momentin di vetëm që duhet të mësoj shumë, të punoj fort, të plotësoj synimet e mia dhe të arrij lart e më lart. Kam shumë qëllime dhe ëndrra për jetën time, s’mund t’i lë pas për shkak të të tjerëve. Do ta ndërtoj jetën time si dua unë, gjithmonë pa cënuar kënd, por një jetë të ndërtuar në bazë të llafeve të të tjerëve s’mund ta jetoj. Shpresoj shumë që këtë gjë ta kenë parasysh dhe shumë të tjerë si unë. Jeta është e bukur, thjesht jetoje në çdo moment me gjithë ngjyrat e saj."