Dje, Felicity Huffman, u dënua me dy javë heqje lirie. Aktorja korruptoi organizatorët e testit SAT për t’i siguruar të bijës pranimin në kolegj. Në 14 ditë, ja ç’e pret aktoren pas hekurave.
Huffman do të dorëzohet vullnetarisht më 25 tetor në FCI Dublin. Sapo të dorëzohet, ajo do të kërkohet imtësisht, do të pajiset me kominoshe dhe tre palë të brendshme. Do të marrë një set higjenik që përmban krehër, deodorant, furçë dhe pastë dhëmbësh, plus një rul me letër higjenike. Ajo dhe gjithë të dënuarat e tjera marrin një rul një herë në dy javë.
Aktorja duhet të rregullojë shtratin çdo ditë në 6:30. Gjatë fundjavave, ka kohë ta rregullojë deri në 11.
Shumica e dënimit do të kalohet në brendësi të institucionit, por në FCI Dublin lejohen banjot e diellit nga 16:00 të premten deri 20:30 të dielën. Gjithë të dënuarat kanë të paktën një orë të lirë çdo ditë.
Çdo ditë, Felicity Huffman do të hajë drekë në mensë nga ora 11:30 deri në 12:30. Nuk mund të largohet nga mensa me më shumë se një frut në dorë.
Gjatë pjesës tjetër të ditës, do t’i duhet të shoqërohet me të dënuarat e tjera në dhomën e televizorit apo lojërave.