Feminism

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret

Shkruar nga Anabel

14 Shtator 2019

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret

Kur Savage X Fenty, e drejtuar nga Rihanna, hyri në industrinë e veshjeve të brendshme për gra, u pa si një konkurrent i Victoria’s Secret, megjithatë zor se pritej që kompania në fjalë, ose të tjera të ngjashme, të rrëzonin nga froni një perandori si Victoria’s Secret. Por ja që situata ndryshoi dhe Rihanna e kompanitë e tjera fituan terren. Shumë terren.

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret
Savage X Fenty - Java e Modës, Nju Jork, shtator 2019

Savage X Fenty solli një ndër shfaqjet më mbresëlënëse në Javën e Modës në Nju Jork, ndërkohë që Victoria’s Secret u shpreh në maj se shfaqja e vitit 2019 do të anulohej për herë të parë pas më shumë se 2 dekadash. Arsyet nuk u bënë publike, por dihen botërisht: shikueshmëria në ulje dhe kritikat për mungesë diversiteti.

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret
Savage X Fenty - Java e Modës, Nju Jork, shtator 2019

Ndalemi te ky i fundit: të qenurit ndryshe.

Në shfaqjen e Savage X Fenty ishte e pranishme aktorja transgjinore e “Orange is the New Black”, Laverne Cox. Ardhja e saj u prit me duartrokitje të shumta. Një detaj i tillë bie ndesh me filozofinë e Victoria’s Secret që nuk pranon modele transgjinore. Menaxheri i marketingut të kompanisë, Ed Razek, u shpreh vitin e kaluar për Vogue se “nuk mendonte se modelet transgjinore duhet të jenë në sfilatë”. Në maj u tha se për herë të parë u pranua një modele transgjinore, Valentina Sampaio, megjithatë kjo nuk e largon kompaninë nga kritikat për mungesë diversiteti.

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret
Gigi Hadid - Victoria's Secret fashion show, 2018

Siç e kemi cekur më parë, kur Victoria’s Secret u themeleua në vitin 1977, u konsiderua një revolucion. Themeluesi i saj Roy Raymond hapi dyqanin e parë të projektuar si një vend ku burrat mund të shkonin të blinin të brendshme për gratë dhe të ndiheshin komod. Kjo strategji – pra të brendshme për gratë, që zgjidheshin dhe u shërbenin burrave – funksionoi mirë dhe që në vitin e parë pati të ardhura të majme.

Më pas, kompania iu shit Les Wexner, CEO i L Brands, në vitin 1982 për 1 milion dollarë. Raymond me siguri që nuk e parashikoi se Victoria’s Secret do të shndërrohej në kompaninë më të madhe të veshjeve të brendshme për gra dhe as që pavarësisht suksesit, 42 vite më vonë, kompania do të përfshihej nga kritikat e ashpra. Ajo që vihet re është fakti se VS nuk ka qenë kurrë “për gratë, nga gratë” edhe pse ka zotëruar pjesën më të madhe në shitjet e veshjeve të brendshme për gratë.

Duket se kompania u kap në befasi dhe e papërgatitur, duke humbur klientë të shumtë, gjë që u pasua me mbylljen e shumë dyqaneve nëpër botë.

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret
Savage X Fenty - Java e Modës, Nju Jork, shtator 2018
Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret
Gigi Hadid - Victoria's Secret fashion show, 2018

Në ndryshim nga Victoria’s Secret, Savage X Fenty dhe kompani të tjera, nuk thonë se çfarë është e bukur. Njerëzit nuk kanë më nevojë për shembuj. Sot, në epokën e nismave ndërgjegjësuese për imazhin e trupit dhe bukurisë në tërësi, Savage X Fenty u thotë njerëzve se “thjesht janë të bukur, në të gjitha dimensionet”: e hollë, e gjatë, e kolme, me ose pa ngjyrë, shtatzënë, jo shtatzënë etj.

Ndryshimi mes Savage X Fenty & Victoria’s Secret

Për momentin, Victoria’s Secret thuhet se po punon për ndryshimin themelor të konceptit të kompanisë dhe trajtimin e të bukurës në tërësi.