
Rasti i skandalit të marrjes së provimeve përmes favoreve seksuale ka ngjallur një debat të zjarrtë në rrjete sociale dhe media, ku njerëzit janë të ndarë përsa i përket mënyrës si duhen menaxhuar situata të tilla.
Referuar komenteve online, disa janë të mendimit se “studentja ka provokuar më shumë seç duhet”, ndërsa të tjerë theksojnë se “problemi qëndron te profesori”. Të shumtë janë njerëzit që vënë në dukje faktin se pedagogu Denis Himçi komunikon me studentet nëpër kafe, gjë që është deri-diku shkelje e etikës profesionale.
Ndër të tjera, nuk mungojnë as komentet që shprehen se “studentja duhet arrestuar”. Në fakt, sipas Kodit Penal, “korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike dënohet me gjashtë muaj deri në tre vjet”. Ekzaktësisht shkruhet: “Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”
Pra, përpos profesorit që ka ofruar favore seksuale, nga ana tjetër është një studente që propozon marrjen e notave, pa hyrë fare në provim. Shtojmë që propozimi mund të jetë bërë edhe për të nxjerrë në pah problematikën, por kjo do të zgjidhet nga organet kompetente.