Më kujtohet hera e parë që të takova. Doja të të urreja. Ti vodhe mamin tim nga babi- të paktën këtë besoja unë kur isha 10-vjeç. Isha gabim, por do të më duhej pak kohë për të kuptuar që askush s’i vjedh gjë askujt pa dëshirë. Ata kështu vendosën. Unë s’mund të të urreja ty. Ishe kaq i mirë me ne! E bëre nënën time të qeshte ashtu siç nuk e kisha parë kurrë dhe ne na plotësoje pothuajse çdo dëshirë.
Ti përfundove duke rritur 3 para-adoleshentë që ndoshta s’i kërkove kurrë. Ta kemi vështirësuar jetën çdo vit e më shumë, por ti e more me qetësi. Ti kurrë s’na kërkove të të thërrisnim “babi”, kurrë nuk na imponove të të donim. Por kjo ishte e pashmangshme, ti ishe i rëndësishëm. Je i rëndësishëm!
Ti s’kishe pse bisedoje me ne ashtu siç ke bërë. Mund të mbyllje derën dhe të thoje që s’ishte problemi yt, por s’e bëre kurrë. Ti hapje dyer, merre gjithë kohën e botës për të bërë secilin nga ne të lumtur. Ti doje të ishe aty për të mësuar çfarë na nervozonte dhe çfarë na bënte për të qeshur. Ne nuk ishim problemi yt, por ti gjeje gjithnjë zgjidhje për ne!
Një nga momentet më të gjalla në kujtesën time është kur dola për pazar me ty. Pa u menduar dy herë, ti më le të futesha në dyqanin e lodrave. Lodra që unë doja ishte shumë e kushtueshme për një 11-vjeçar, por pa u menduar fare e pe dhe më pyete çfarë ngjyre e doja.
U lumturova kaq shumë sa mund të shpërtheja nga gëzimi. Ndryshove diçka në mua atë ditë. Bëre diçka që ndoshta s’e mban mend, por për mua ishte kaq e madhe sa s’do ta harroj kurrë. Ti më dëgjove!!
Kujtoj ditën kur motra ime lindi- gjysmë motra, praktikisht, por asnjë nga ne nuk e sheh si të tillë. Mendoja se lindja e saj do të të shkëpuste prej nesh, por përkundrazi, atë ditë unë takova shoqen time më të mirë. Ti më dhe njeriun që sot dua më shumë dhe do të jem gjithnjë në borxh për këtë.
Motra jonë është sot në të njëjtën moshë që isha unë kur të takova ty. Po kalon gjithë sfidat e pubertetit, por është me fat sepse nuk ka njeri më të përgatitur se ty për këtë. Dhe nëse do, ne do të të ndihmojmë, të detyrohemi kaq gjë. Ti na rrite dhe na mësove si t’i dalim për zot çdo problemi me kokën lart. Faleminderit. Të dua shumë!
*Shënim: Kjo letër është përshtatur nga The Guardian