TV Mania

Arjon Muça pendohet që iu fut televizionit: Pak famë, pak lekë

Shkruar nga Anabel

4 Tetor 2019

Arjon Muça pendohet që iu fut televizionit: Pak famë, pak

Arjon Muça, pas daljes nga shtëpia e Big Brother, u angazhua në ekran. Prej dhjetë vitesh punon në televizione a radio të ndryshme dhe duke marrë parasysh se është i zoti, e bën me dëshirë dhe për më tepër, e bën prej një dekade, me të drejtë mendojmë se i fal lumturi. Në mos lumturi, e kompenson mirë.

Por jo. Arjoni pendohet që iu fut kësaj rruge. Dje, në “Ditë e re” në Ora News, ai tha: “Nëse do të kthehesha pas nëkohë nuk do të isha marrë kurrë me televizion. Të paktën në Shqipëri, duke eleminuar disa realitete që kam pasur fatin t’i prek, nuk është në fazën europiane. Jo në aspektin teknik sepse kemi regjisorë shumë të mirë, operatorë shumë të mirë. Nga ana njerëzore është gjithçka në maksimum. Nga ana ekonomike, televizionet në Shqipëri as nuk krahasohen me televizionet europiane.”

Ai mendon se pagesat në vend janë shumë herë më të ulëta se në vendet e tjera. Si rrjedhim, figurat e famshme të ekranit detyrohen të hapin biznese e të gjejnë mënyra të tjera për të fituar para sepse ajo që marrin në televizon mjafton vetëm për të mbijetuar.

“Kam prekur dhe anën tjetër, kam prezantuar në Itali. Në fund të ditës njeriu, nuk ushqehet as me duartrokitje as me lakimet e emrit nëpër rrjetet sociale. Ushqehet me rrogën e tij.

“Pas dhjetë vitesh që punoj, e them me keqardhje që në Shqipëri nuk ndërton dot një karrierë të mirëfilltë. Je i detyruar të hapësh biznes, të gjesh mundësi të tjera,” tha ai.

Muça mendon se shumica e emrave të njohur të ekranit, me përjashtim të disave që dihet kush janë, “mbijeton në pompozitet.” Jo se s’janë të aftë apo se s’kanë talent. Thjesht aq mund të paguajë televizioni në një vend të vogël e me kaq pak banorë.